Sun, Aug 10, 2025

Ministria e Arsimit distancohet nga zbatimi i projektit “Smart City”

  • PublishedAugust 10, 2025
Ministria e Arsimit distancohet nga zbatimi i projektit “Smart City”

Ministria e Arsimit dhe Sportit u distancua nga zbatimi i projektit të kushtueshëm “Smart City” përmes një përgjigje për BIRN, pavarësisht se 20 shkolla publike janë parashikuar që të përfitojnë kamera inteligjente dhe detektorë me qëllim rritjen e masave të sigurisë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, ligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me Fondin e Zhvillimit të Abu Dhabit përcaktonte Ministrinë e Brendshme si institucion përgjegjës për zbatimin e projektit.

BIRN iu drejtia Ministrisë së Arsimit me kërkesë për të drejtë informimi, pasi më herët, Ministria e Brendshme pretendoi se ishin kryer konsultime publike me prindërit për zbatimin e projektit “Smart City” në shkolla nëpërmjet Ministrisë së Arsimit. Edhe pse nuk ktheu një përgjigje direkte për konsultimet, Ministria e Arsimit la të kuptohej se ajo nuk kishte ndonjë rol për të luajtur në lidhje me këtë projekt.

Projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mijëra kamerave inteligjente në hapësirat publike, mes të cilave kamera për monitorimin e trafikut në rrugë si dhe në 20 shkolla si pjesë e një testimi pilot. “Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe parashikohej fillimisht që të kushtonte 60 milionë dollarë amerikanë, por kostot e tij gati u dyfishuan në 118.5 milionë dollarë pa asnjë shpjegim, ndërsa pritet që të mbulohen përmes një huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit.

Projekti do të zbatohet nga kompania ‘Presight AI‘,pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për lidhjet e saj kineze. Projekti kontestohet gjithashtu nga ekspertë të të drejtave digjitale për rrisqet që mbart nga ndërhyrja e madhe në privatësinë e qytetarëve.

E pyetur mbi shqetësimet për privatësinë, Ministria e Brendshme i tha BIRN se instalimi i kamerave do të bëhet vetëm në ambientet e jashtme të shkollave dhe jo brenda klasave.

“Instalimi i kamerave do të bëhet vetëm në ambientet e jashtme të shkollave, me qëllim sigurimin e nxënësve dhe stafit, si dhe për mbikëqyrjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe edukativ,” tha Ministria e Brendshme.

Në një artikull të mëparshëm, BIRN raportoi se Ministria e Brendshme ka përzgjedhur 20 shkolla për pajisjen me kamera inteligjente si pjesë e projektit “Smart City”, ndërkohë që shumica e tyre kanë tashmë sistem kamerash. Ndërkohë, ekspertët shprehin shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave personale dhe mënyrën e menaxhimit të këtyre pamjeve.