“Ndal terrorit ndaj fjalës së lirë, sot News24, nesër çdo zë kritik”, Asllan Dogjani: Dilni në sheshe, ngrini zërin! Mos pranoni propagandën qeveritare si “të vërtetë”
Deputeti Asllan Dogjani ka reaguar ashpër pas mbylljes së televizionit News 24, duke e cilësuar vendimin si një akt të rëndë të dhunës shtetërore ndaj fjalës së lirë.
“Në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë vendim gjykate, Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të News 24. Kjo është një goditje e hapur ndaj mediave të pavarura dhe një hap drejt diktaturës,” shkruan Dogjani në reagimin e tij.
Ai paralajmëron se nëse nuk ka reagim qytetar, kjo situatë mund të përshkallëzohet. “Sot mbyllet News 24, nesër çdo faqe, çdo mikrofon, çdo portal që guxon të mos i nënshtrohet propagandës së pushtetit.”
Dogjani u bën thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mbrojnë lirinë e medias, si themel i demokracisë.
Reagimi i Asllan Dogjanit:
NDAL TERRORIT NDAJ FJALËS SË LIRË – SOT NEWS 24, NESËR ÇDO ZË KRITIK!
Në mënyrën më arbitrare dhe të paprecedentë, Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të televizionit Neës 24 – pa paralajmërim, pa vendim gjykate, pa asnjë procedurë ligjore.
Ky është një akt flagrant i dhunës shtetërore ndaj medias së lirë dhe një shkelje e rëndë e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e shprehjes dhe të informimit.
Kjo nuk është vetëm një goditje ndaj një televizioni. Kjo është një goditje ndaj të drejtës së çdo shqiptari për të folur dhe për të dëgjuar të vërtetën. Sot mbyllet News 24, nesër mund të mbyllet çdo faqe, çdo mikrofon, çdo portal që guxon të mos i nënshtrohet propagandës së pushtetit.
Edi Rama po ndjek të njëjtin manual të autokratëve, ku mediat e pavarura heshten, kritika shtypet, dhe zëri i qytetarëve zhduket nga hapësira publike. Kjo është rruga drejt diktaturës, ku qeveria nuk llogaritet më para ligjit, por vendos mbi ligjin.
Ne, qytetarët e lirë, nuk mund të rrijmë duarkryq!
Liria e fjalës nuk është luks – është themeli i demokracisë. Nëse lejojmë këtë precedent të rrezikshëm, Shqipëria humbet edhe ato pak mbetje të lirisë që i kanë mbetur.
Diktatura do reagim, do bashkim të madh popullor. Thirrja ime është
Dilni në sheshe, ngrini zërin! Mos pranoni propagandën si të vetmen “të vërtetë” që ju ofron qeveria! Mbrojeni lirinë e medias, sepse ajo mbron lirinë tuaj!
Një komb që hesht kur i mbyllet goja medias, është një komb që pranon të jetojë në errësirë. Sot është koha të zgjohemi – të tregojmë se Shqipëria nuk pranon të kthehet në një regjim ku fjala e lirë është krim.