“News24 nuk është shuar” – Gazetari Armir Mehaj: Armata e gazetarisë, fjala e lirë. Fabrika e pushtetarëve s’e do fqinj rojtarin e së vërtetës
Nga Armir Mehaj
Uzurpimi i News24 mëngjesin e hershëm të 9 gushtit nga emri i njohur i paligjshmërive Ardi Veliu, bëmat e së cilit janë historike në Policinë e Shtetit dhe jo vetëm, nuk do të thotë mbyllje e këtij televizioni!
News24 u shua përkohësisht nga pabesia, duke shënuar largimin e parë nga publiku në më shumë se 25 vite të ekzistencës së tij.
Ard Eskobari nuk donte t’ia dinte për mundin, djersën, sakrificat, lodhjen, mbingarkesën, presionet, kërcënimet që kanë kaluar në 25 vite njerëzit që kanë punuar brenda asaj godine, për të përcjellë në kohë reale zhivillimet më të fundit, nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria e më gjerë.
Në vend të një falënderimi, mëngjesin e 9 gushtit ne të gjithë u vlerësuam në këtë mënyrë për sakrificat që nuk janë bërë thjesht për hir të një page, por për shkak të misionit që kemi përmbushur, pa marrë parasysh kushtet e punës, kushtet atmosferike, as kur na është vënë arma mbi krye, as kur na ka zënë gjumi me mikrofon në dorë, as kur na ka rrethuar zjarri e as kur jemi bllokuar në dëborë e ujë.
Sigurisht nuk jemi shpëtimtarët e këtij vendi, por jemi pak nga ata që vërtetë e duam Shqipërinë, ndikojmë të vidhet më pak e të ketë sa më pak si Ardi që shpërblehet me poste e ofiqe si ky i tanishmi, për të mbyllur gojën për çfarë ka parë e bërë.
Shpërndarja e lajmit nga kolegët mëngjesin e 9 gushtit më është dukur e pabesueshme derisa me zë e figurë u përballa me lotët e drejtoreshës Anila Jole, e cila nuk loton për një pagë e as se iu rrezikua pozicioni, por nga pasioni e dashuria me të cilën punon çdo ditë duke bërë gazetari e jo politikë, si kjo që s’po e lë këtë vend të marrë frymë.
Këto ditë ndoshta unë dhe kolegët e mi jemi parë me keqardhje se mbetëm pa punë, ndërkohë që ne ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë e bëjmë. Ne nuk jemi për t’i ardhur keq askujt, ndonëse çdo shqiptar i ndershëm është përditë përballë pasigurive, ku me një të rënë lapsi nuk gjen më vendin e punës, ku me një të rën lapsi sheh t’i shkërmoqet e ardhmja për të cilën ka investuar, për pasigurinë në rrugë, për pasigurinë për çdo gjë që garanton jetë të qetë në këtë vend, i cili braktiset dita- ditës. Mund të vijë shumë shpejt dita kur Shqipëria të banohet vetëm nga pushtetarë, të burgosur e gardianë.
Unë dhe çdonjëri prej kolegëve nuk protestojmë për një vend pune, por sepse sot na është cenuar dinjiteti, jemi trajtuar si të paligjshëm dhe askush nga ata që shkaktuan ato pamje nuk ka kërkuar falje. Gazetari duhet të jetë në ngjarje, në redaksi, jo duke protestuar, për të hyrë në vendin e punës, të ushtrojë profesionin.
A do të jetë i qetë Ardi Veliu që zgjodhi këtë mënyrë për të kthyer shtëpinë e informimit publik në magazinë armësh?! Sigurisht JO!
Përse politika hesht?! Sepse e ka të qartë impaktin negativ të këtij akti, gatuar si dëmshpërblim për të vërtetat e publikuara.
News24 do të rikthehet në transmetim, me njerëz edhe më të motivuar, por ata që e prodhuan këtë situatë a do të jenë të qetë?!
Nga pasiguria për të vijuar drejtimin, siç është mësuar Veliu, kurrësesi nuk e do kaq pranë News24. Me një rojtar të së vërtetës që i ra për hise ta ketë fqinj, Ardi Veliu nuk do të mund të bëjë çfarë është mësuar të bëjë nën hijen e paligjshmërive që e kanë shoqëruar kudo ku ka punuar.
Ai nuk do të mbahet mend vetëm si shoqërues eskobarësh, por edhe për fikjen e sinjalit të televizionit më të madh informativ në vend.
News24 do të jetë aty, NE po ashtu, duke dëshmuar se tashmë nuk është primare vetëm paga, por mbi të gjitha MISIONI. Secili prej nesh ka kujtimet e sakrificës që faktkeqësisht iu shtua edhe ndjesia e fikjes së përkohshme të sinjalit.
Kush është News24 e ka treguar ndjeshmëria publike!
Fundi do të tregojë të drejtën, ama di që News24 dhe ne që bëjmë gazetari në këtë shtëpi mediatike, sot e përgjithnjë kemi një arsye më shumë për të përmbushur misionin. Ashtu si deri tani ka qenë televizioni ku shqiptarët kanë gjetur zgjidhje për paligjshmëritë, kur iu është futur dora për t’u grabitur, kur s’kanë pasur ushqim apo një strehë mbi kokë. A ka menduar ndonjëherë qeveria për zgjidhjet që ka ofruar ky televizion, sot me sinjal të fikur.
News24 nuk është shuar, është goditur ndoshta për të qenë akoma edhe më i fortë, për të na qartësuar kërcënimin, për të na bërë të ndihemi të pasigurtë, si individë dhe profesionistë.
News24 nuk është thjesht një biznes, por një zë i fortë që do të jehojë nga puna dhe pasioni i dhjetëra njerëzve që forcën e fjalës dhe dinjitetin e kanë në vend të parë! Shumë prej tyre u rritën, edhe profesionalisht me këtë logo!