Sun, Aug 10, 2025

“Prej dy ditësh nuk dëgjoj lajme te News24, sinjali i tij u mbyll në mënyrë arbitrare”- Besim Ndregjoni: Diktaturat përsëriten kur heshtet ndaj fjalës së lirë

  • PublishedAugust 10, 2025

“Prej dy ditësh nuk dëgjoj lajme te News24, sinjali i tij u mbyll në mënyrë arbitrare”- Besim Ndregjoni: Diktaturat përsëriten kur heshtet ndaj fjalës së lirë

Nga Besim Ndregjoni

Ka dy ditë që nuk dëgjoj lajme se është fikur sinjali i News24.  Sot mbushen 37 vite që diktatura komuniste, paraardhësja e rilindjes, varte poetin e fjalës së lirë — sot prisja që gazetarët e News24 të jepnin përvjetorin e varjes së Havelit shqiptar, Havzi Nelës — jo, nuk jepet ky përvjetor, sepse media e lirë dhe e hapur për antikomunistët dhe të përndjekurit politik s’ka sinjal, se e kanë ndaluar horrat e rilindjes që imitojnë udhëheqësin shpirtëror të tyre, Enverin dhe Ramizin!

Në Shqipëri nuk po jetojmë thjesht një krizë diktatoriale, jo vetëm një krizë politike. Ne jemi të zhytur në një krizë psiko-sociale, e cila ka filluar të përthithë çdo sferë të jetës së qytetarëve, si një re e zezë që rëndon mbi mendjen dhe shpirtin e një kombi të tërë.

Si mund të heshtësh përballë represionit të pushtetit, kur ndalon fjalën e lirë, kur të përndjekurit i quan armiq dhe nuk u lejojnë të konkurojnë — kur mbyll televizionin se e quan pronë shtetërore si pronë të vetën personale për ta përdorur për interesa fitimi e korrupsioni!

Nën petkun e një demokracie formale, vendi po qeveriset nga një regjim ku fasada pluraliste mbulon një realitet gjithnjë e më diktatorial. Këtu vota është përçudnuar, drejtësia është një dekor, institucionet janë shërbëtore të pushtetit, dhe liria po ngulfatet çdo ditë, ngadalë, por me saktësinë e një helmi të përditshëm.

Të gjitha duken demokratike: zgjedhjet, parlamenti, drejtësia, por në thelb janë thjesht mjete për të riprodhuar pushtetin. Nuk ka kontroll, nuk ka transparencë, nuk ka ndëshkim!

Mbyllja e TV24 është këmbanë alarmi për demokracinë shqiptare; heshtja ndaj 6000 të zhdukurve dhe përçundimi i pushtetit ndaj atyre shqiptarëve që u vranë për fjalën e lirë është piskamë kombëtare ku po shkojmë! Ne duhet t’i themi ndal këtij pushteti diktatorial, të mbrojmë lirinë tonë. Liria është e shenjtë dhe ajo duhet mbrojtur me çdo kusht.

Sot Havzi Nela, në 37-vjetorin e varjes së tij, na apelon:

Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zemra le t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!

Ma miruë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gurë e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shamë!

Ma mirë lis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullot bagëtie,
Ma mirë mos me t’njohë kurrkush
Kur zuzari t’rrin mbi krye!

Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me me shkelë një derr beter!

Burrel, 1977