BIRN: Organizatat ndërkombëtare dënojnë bllokadën e policisë ndaj News24
Organizatat ndërkombëtare të medias e cilësuan bllokimin e godinave të përdorura nga Focus Media Group dhe ndërprerjen e transmetimit të News 24 si joproporcional dhe i kërkuan autoriteteve të jepnin shpjegime të qarta ligjore mbi veprimet e kryera.
Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias kanë reaguar ndaj bllokadës së vendosur nga Policia e Shtetit më 9 gusht ndaj redaksisë së televizionit informativ, News 24 si dhe mediave të tjera të grupit, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, IPI, u shpreh në një postim në X “i alarmuar nga bllokada e policisë” dhe kërkoi “sqarim të menjëhershëm të bazës ligjore” për këtë veprim, të cilin e cilësoi si pengim të punës së gazetarëve.
“Kërkojmë që autoritetet të shpjegojnë menjëherë arsyet ligjore për këtë veprim, i cili ka penguar punën e gazetarëve,” tha IPI në deklaratë publike.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, ECPMF, e quajti ndërhyrjen “masë joproporcionale” nga autoritetet shqiptare. “Pengimi i gazetarëve për të hyrë në ndërtesë, ndërprerja e energjisë elektrike dhe ndalimi i sinjalit televiziv janë masa të tepruara,” theksoi ECPMF duke iu referuar situatës.
Edhe rrjeti rajonal SafeJournalists shprehu “shqetësim të thellë” për operacionin, duke theksuar se “çdo veprim që ndikon në punën e mediave duhet të ndjekë procesin e rregullt ligjor, të bazohet në një mandat të qartë dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për t’u informuar”. Organizata kërkoi gjithashtu që autoritetet të japin kohë të mjaftueshme për zhvendosjen e redaksive në raste të tilla, për të shmangur ndërprerjen e punës.
Ndërtesa e përdorur nga Focus Media Group u bllokua mëngjesin e 9 gushtit nga policia. Kjo e fundit rrethoi godinën në Shkozë, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe ndaloi hyrjen e gazetarëve, duke ndërprerë transmetimin e News24 në orën 07:36. Më vonë, televizioni rifilloi transmetimin vetëm përmes YouTube. Godina, e cila përdorej nga televizioni përmes një kontrate qiraje është objekt i një mosmarrëveshjeje gjyqësore.
Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, e cila menaxhon pronat publike, këmbuguli se bllokimi me polici i godinës ishte i ligjshëm dhe bazohej në vendim gjykate, ndërsa u ankua se kompanitë mediatike nuk kishin paguar qiratë. “MEKI vepron me kujdes institucional dhe respekt të plotë për lirinë e medias dhe të shprehjes. Por këto të drejta nuk mund të përdoren si justifikim ose si mekanizëm për të gëzuar padrejtësisht pronën publike dhe për të shmangur shlyerjen e detyrimeve kontraktuale,” deklaroi MEKI./BIRN