Fikja e sinjalit të News24, Ervin Salianji në protestën para godinës: Atentat ndaj fjalës së lirë! Pushteti kërkon të kontrollojë mendjen e qytetarëve
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, iu bashkua protestës së gazetarëve dhe shoqërisë civile paraditen e sotme para godinës së News24, e cila prej 3 ditësh ndodhet nën terrorin e policisë e ushtrisë që ndodhen brenda rrethimit të televizionit duke mos lejuar punonjësit të hyjnë brenda.
Salianji shkruan se ky është një sulm dhe atentat i hapur ndaj fjalës së lirë, teksa theksoi se qeveria ushtroi dhunë brutale me polici e ushtri për të censuruar dhe mbyllur veprimtarinë e News24.
Ai shprehet se pushteti që kontrollon sinjalin, kërkon të kontrollojë mendjen e qytetarëve..
Ndërsa shtoi se “liria e medias nuk mbyllet me butona e kabllo, ajo është frymëmarrja e demokracisë”.
“Sulmi dhe dhuna brutale e qeverisë me polici e ushtri për të censuruar, bllokuar sinjalin e mbyllur veprimtarinë e News24 dhe ndaluar punën dhe raportimin e gazetarëve të Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare është një sulm dhe atentat i hapur ndaj fjalës së lirë. Sot isha pranë gazetarëve e punonjësve të medias në protestë kundër këtij akti tipik të regjimeve që kanë frikë nga e vërteta. Pushteti që kontrollon sinjalin, kërkon të kontrollojë mendjen e qytetarëve. Por liria e medias nuk mbyllet me butona e kabllo, ajo është frymëmarrja e demokracisë”, deklaroi Salianji në një postim në Facebook.