“Fortesa” e shtëpisë/ Rrogozhina, një qytet në “ethe”
Rezultati 0-0 në fushën e Olimpija Ljubljanës ka lënë gjithçka të hapur për Egnatian, e cila tani e ka fatin e kualifikimit në duart e saj. Kampionët e Shqipërisë treguan personalitet në transfertën e vështirë, duke u përballur me kujdes dhe pa u dorëzuar asnjë moment.
Tani, me ndeshjen e kthimit në “Egnatia Arena”, rrogozhinasit besojnë se mund të bëjnë hapin vendimtar drejt turit tjetër europian, aty ku historia e tyre e deritanishme flet qartë: në shtëpi dinë të fitojnë.
FORTESA E SHTËPISË – Pas dy fitoreve të mëdha në “Egnatia Arena”, kampionët e Shqipërisë e presin me besim të plotë duelin vendimtar ndaj Olimpija Ljubljanës. Rrogozhinasit kanë treguar se e njohin mirë rrugën drejt suksesit kur luajnë në shtëpi: kanë mposhtur fillimisht Breidablikun nga Islanda dhe më pas Dinamo Minskun nga Bjellorusia, të dyja herët me rezultatin minimal 1-0. Dy mbrëmje të paharrueshme që u kthyen në festa të mëdha për qytetin dhe tifozët. Ky është pikërisht skenari që Egnatia kërkon të përsërisë edhe këtë herë. Në dy ndeshjet e kaluara, skuadra ka ditur të mbajë ekuilibër perfekt: ka qenë e kujdesshme në mbrojtje, duke mos lënë hapësira për kundërshtarët dhe ka goditur në momentin e duhur, me efikasitet maksimal. Edlir Tetova dhe lojtarët e tij e dinë se edhe përballë Olimpijas, një gol dhe një mbyllje e kujdesshme e ndeshjes mund të vulosë kualifikimin. Barazimi 0-0 në Slloveni e ka lënë gjithçka të hapur, por Egnatia ka provuar tashmë se në “fortesën” e saj di të marrë atë që i duhet.
TIFOZËT, ZEMRA E SKUADRËS – Në Rrogozhinë, tifozët nuk janë thjesht spektatorë, por pjesë e pandashme e suksesit. Ata e kanë shndërruar “Egnatia Arena”-n në një ambient ku çdo kundërshtar ndjen presionin që nga momenti i daljes në fushë. Në dy fitoret e mëparshme europiane, atmosfera ka qenë elektrizuese. Të enjten në mbrëmje, pritet që kjo atmosferë të jetë edhe më e zjarrtë. Pesha e ndeshjes, rëndësia e kualifikimit dhe dëshira për të vazhduar rrugëtimin europian e bëjnë këtë përballje një moment unik. Përballë Olimpijas, tifozët do të kërkojnë jo vetëm të mbështesin skuadrën, por edhe të ndikojnë psikologjikisht te kundërshtari, duke mos i lënë asnjë moment qetësie.
NJË QYTET NË ETHE – Rrogozhina është transformuar në prag të kësaj sfide. Në rrugë dhe në çdo qoshe dëgjohen diskutime për formacionin, taktikat dhe mundësitë e kualifikimit. Banorët flasin me krenari për rrugëtimin e skuadrës së tyre në Europë. Ky mobilizim nuk është thjesht për futbollin, është një çështje identiteti. Të gjithë e ndjejnë se janë pjesë e një historie që po shkruhet në kohë reale. Të enjten në mbrëmje, kur bilbili i arbitrit të japë sinjalin e nisjes, stadiumi dhe qyteti do të rrahin në të njëjtin ritëm, me një qëllim të vetëm: ta çojnë Egnatian në turin tjetër, me të njëjtin rezultat minimal 1-0 që ka dhuruar dy mbrëmjet më të bukura europiane të saj.