Wed, Aug 13, 2025

Zoe Kravitz tregon “aventurën” te shtëpia e Taylor Swift gjatë zjarreve në Kaliforni

  • PublishedAugust 13, 2025

Zoe Kravitz tregon “aventurën” te shtëpia e Taylor Swift gjatë zjarreve në Kaliforni

Aktorja e njohur amerikane, Zoe Kravitz, ka rrëfyer një histori të pazakontë që i ndodhi këtë vit, kur u strehuar te Taylor Swift në Beverly Hills për shkak të zjarreve të mëdha që përfshinë Kaliforninë.

E ftuar në emisionin Late Night With Seth Meyers, Kravitz zbuloi se qëndroi për dy javë në shtëpinë e këngëtares, së bashku me nënën e saj, Lisa Bonet, dhe kafshën e tyre shtëpiake – një gjarpër me emrin Orfeu. Ajo e përshkroi rezidencën e Swift si “një perlë arkitekturore e viteve ’30” dhe tha se u përpoq të ishte një mysafire shembullore.

Por përpjekjet e saj për ta lënë gjithçka “më mirë se e gjeti” morën një kthesë komike. Gjatë përgatitjeve për t’u larguar, e ëma e saj e thirri me urgjencë: gjarpri ishte zhdukur dhe ishte futur në një vrimë pranë një stoli të fiksuar në mur. Pasi tentativat për ta nxjerrë dështuan, menaxheri i shtëpisë u detyrua të çmontonte një pjesë të murit dhe të thyente pllaka të banjës.

“U gjendëm mes dy zgjedhjeve: ose t’ia shkatërronim banjën, ose t’i thoshim që në shtëpi kishte një gjarpër,” kujtoi Zoe me humor. Ajo i kërkoi menaxherit të mos i tregonte Swift derisa të rregullohej gjithçka, por këngëtarja e mori vesh para kohe.

Megjithë incidentin, Kravitz e falënderoi Swift për mikpritjen dhe zemërgjerësinë në një moment të vështirë.