A po mbyllet kapitulli mes Taylor Swift dhe producentit të saj të besuar, Jack Antonoff?
Taylor Swift ka njoftuar publikimin e albumit të saj më të ri “The Life of a Showgirl”, i cili do të dalë më 3 tetor. Albumi përmban 12 këngë dhe përfshin edhe një duet me këngëtaren Sabrina Carpenter. Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e fansave nuk është lista e këngëve, por mungesa e një emri kyç në ekipin e saj – producentit Jack Antonoff.
Prej më shumë se një dekade, Antonoff ka qenë bashkëpunëtori i pandashëm i Swift, duke kontribuar në shumë nga projektet e saj më të suksesshme, përfshirë edhe albumin e fundit “The Tortured Poets Department”. Por këtë herë, emri i tij nuk figuron në kreditet e albumit të ri, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien e tyre profesionale dhe personale.
Historia e bashkëpunimit të tyre nis në vitin 2013 me këngën “Sweeter Than Fiction”, e shkruar për filmin One Chance. Vetëm një vit më pas, Antonoff do të ishte pjesë e albumeve më të mëdha të Taylor-it, duke prodhuar hite nga disku “1989” e deri te projektet më të fundit. Për këtë arsye, largimi i tij nga projekti i ri ka nxitur spekulime të shumta në rrjetet sociale: a bëhet fjalë për një shkëputje profesionale, apo për një ftohje më të thellë në marrëdhënien e tyre?
As Swift dhe as Antonoff nuk kanë reaguar ende mbi këtë situatë, duke lënë fansat në pritje të një përgjigjeje. Deri atëherë, enigmat mbi këtë mungesë mbeten një nga temat më të diskutuara rreth albumit të ri.