Mungesa e kalendarit artistik zbeh përvojën turistike në Durrës

Në plazhin e Durrësit mungojnë thuajse plotësisht aktivitetet artistike të organizuara nga bashkia. Turistët që i drejtohen qytetit për të ndjekur shfaqje apo koncerte shpesh hasin vështirësi, ndërsa zbulojnë se, pavarësisht mungesës së programeve zyrtare, zona nuk është pa talente artistike.
Bestar Vula, i ardhur me familjen nga Lipjani, ndihet i lumtur që pati mundësinë të ndjekë nga afër një koncert të sopranos së njohur Inva Mula.
“Prej 10 ditësh jam me pushime në plazh dhe e mësova rastësisht për shfaqjen që u zhvillua në amfiteatrin antik. Ishte një mrekulli, jo vetëm artistja, por edhe kori i fëmijëve nga Prishtina,” tha ai për BIRN.
Vula shton se u desh të ktheheshin në këmbë drejt hotelit, pasi autobusët urbanë nuk funksionojnë pas orës 22:00. Sipas tij, prej disa vitesh në plazh mungojnë aktivitetet artistike.
Arjan Plaku, drejtues i një ansambli vallesh, ka lidhur marrëveshje me dy hotele.
“Japim shfaqje disa herë në javë në mjediset përballë detit dhe interesimi i pushuesve është i madh. Koreografitë janë përgatitur me valle folklorike të Shqipërisë së Mesme,” tha ai për BIRN.
Në zonën bregdetare deri në Golem veprojnë edhe 4-5 ansamble private të muzikës folk, por asnjë prej tyre nuk ka marrë mbështetje nga institucionet lokale. “Të gjitha funksionojnë në bazë marrëveshjesh me hotelet, të cilat kërkojnë të argëtojnë turistët vendas dhe të huaj,” shtoi Plaku.
Projekti i shëtitores bregdetare, i zbatuar dy vjet më parë, parashikonte hapësira për skulptura urbane dhe një zonë të konsiderueshme në stacionin “Apollonia” për shfaqje e koncerte. Por, sipas banorit Misto Leka, këto hapësira nuk janë shfrytëzuar asnjëherë.
“Do t’i çoja me kënaqësi nipërit e mi në shfaqje me cirk, teatër kukullash apo aktivitete të tjera, por deri tani nuk kam parë asnjë të tillë,” tha ai.
Vija bregdetare e plazhit tradicional të Durrësit shtrihet për afro 3.4 km, ku dhjetëra hotele dhe qindra apartamente presin turistë nga e gjithë Europa. Ndërsa në qytet numri i aktiviteteve verore të mbështetura nga bashkia po rritet, jeta artistike në plazh mbetet e varfër.
Megjithatë, artistët nuk mungojnë. Në krah të bulevardit “Pavarësia”, skulptori Idriz Balani, edhe pse mbi 70 vjeç, punon çdo ditë në studion e tij dhe mirëpret vizitorë në ekspozitën me rreth 80 punime personale.
“Bashkë me pushuesit nga Kosova, vijnë edhe shumë të huaj që e zbulojnë rastësisht ekspozitën,” tha Balani për BIRN. Në raftet e studios janë të ekspozuara edhe bocetet e patriotëve e luftëtarëve të UÇK-së, disa prej të cilave janë vendosur në sheshet e qyteteve të Kosovës.
Në të njëjtën rrugë kanë studio-ekspozita edhe piktorët Marjana Goxhabelliu dhe Laush Vathi. Sipas Balanit, me pak vëmendje nga institucionet lokale, këto hapësira mund të shndërrohen në pika tërheqëse, sidomos për turistët e huaj të interesuar për artin dhe historinë e Durrësit.
Artistët mendojnë se sezoni turistik nuk zgjat më shumë se tre muaj, ndërsa kthimi i studiove të tyre në galeri të përhershme ka kosto të papërballueshme.
“Turistët duhet të përjetojnë kënaqësitë që ofron vendi mikpritës, edhe kur qëndrimi i tyre është i shkurtër, siç ndodh me 13 kroçerat që janë ankoruar në portin e Durrësit që nga fillimi i vitit 2024,” tha Plaku.
Ai kujton se valltarët e veshur me kostume tradicionale janë duartrokitur nga turistët e huaj përpara se këta të niseshin në guida drejt qyteteve të tjera. “Fatkeqësisht, kjo përvojë u ndërpre, pasi mikpritësit (autoritetet lokale) e konsideruan të panevojshëm folkun shqiptar që ofronin djemtë dhe vajzat tona,” përfundoi Plaku.
