Mon, Aug 18, 2025

U godit një media e lirë, njësoj sikur po çmontohej një tendë në trotuar

  • PublishedAugust 18, 2025

U godit një media e lirë, njësoj sikur po çmontohej një tendë në trotuar

NGA NDRIÇIM KULLA ndricim-kulla

Një verë të tillë, me kaq shumë skandale të njëpasnjëshme qeveritare, shqiptarët zor se mbajnë mend për dekada të tëra. U duk se mendja e sëmurë nga goditjet epike të overdozave të arrogancës së tij diktatoriale, do ta linte më në fund të qetë Shqipërinë, së paku për disa javë, derisa t’i shkrepte kryeministrit kriza tjetër haluçinative. Por jo, skandalet e tij nuk kanë të sosur, madje përkojnë në mënyrë përkujtimore.

Sapo që u përkujtua me një fjalim që të ngjethte mishin, nga ana e gruas së tij, vrasja e një poeti të ri kuksian, në kohë të diktaturës, me urdhër të atit të tij biologjik, kur biri i vet, rreth tri dekada më pas, në lirinë dhe demokracinë e supozuar si tillë tani, kryen një akt të tmerrshëm ndaj lirisë së shprehjes, me po të njëjtën gjatësi vale të asaj mendësie komuniste, që Shqipërisë duket të mos i zhduket kurrë as edhe sot.

Ende pa u gdhirë mëngjesi i një dite të shtunë, policë e më pas forca të ushtrisë zaptojnë ambientet e një mediaje të lirë dhe ndërpresin transmetimin, njësoj sikur të mos kishte ndodhur asgjë, njësoj sikur të çmontonin një tendë që zinte trotuarin e një rrugice kalimi. Madje, më keq. Bijtë e etërve të vet komunistë, në delirin e dehjes së arrogancës së tyre, i kishin marrë të gjitha masat që asnjë media të mos e transmetonte as ngjarjen, jo e jo, por as lajmin si informacion. Tendat që hiqen përditë mund të jepen në liri të plotë, lajmi se po mbyllet një zë i lirisë së medias nuk mund të ketë të drejtën të dihet, ose të diskutohet e trajtohet, ashtu siç e do partia.

Çudia më e madhe tri ditë zgjat, ndaj dhe unë prita të ndodhte çudia, që të përligja këtë ostracizëm të plotë informativ. Por jo, “News 24”-ës ende nuk po i del zëri. Xhelatët e rinj të lirisë së fjalës, me urdhër të birit të atit komunist, Kryeministrit të Shqipërisë, në prag të portave të Europës, jo vetëm ia kanë hequr të drejtën, por kanë filluar t’i shkatërrojnë edhe kabllot e pajisjet e transmetimit këtij televizioni, për t’ia zgjatur agoninë dhe shpresën e rizgjimit. Në pamje të parë të duket një shprehje e hapur e forcës dhe arrogancës së një regjimi, që arrin deri aty sa t’u mbyllë gojën të gjitha mediave kombëtare, si një rubinet uji që e vendos ajo se kur do të vijë e kur jo. Për shumëkënd është e vërtetë, por në thellësi të vet, të trembesh nga një media e tillë si “News 24”, saqë të diskretitosh veten në një skandal të tillë kaq delikat, siç është shtypja e lirisë së fjalës, dhe me një urgjencë të tillë, siç është “pushtimi” i saj disa ditësh, është një overdozë e frikshme burracakërie, e denjë për një diktator në prag të greminës. Asgjë nuk mund ta mbyllë një zë të lirë. E vrau ati i tij poetin, por zëri i tij buçiti akoma dhe më i fortë sot në veshët e të birit. Atëherë si mund të mendojë ai vallë të mbyllë zërat e një mediaje sot, në sytë e një populli të lirë? Po ja që ai e bën, po, po, Edi Rama e bën, sepse përveç overdozës së arrogancës dhe burracakërisë, ai njeh e zotëron deri në art, overdozën e urrejtjes demoniake personale, që i vjell vrer e flakë ndaj çdokujt që nuk i bindet egos dhe manive të tij haluçinative.

Është thënë shpesh në të gjitha goditjet që regjimi i jep një populli, se testi më i mirë i së vërtetës është vendosja e vetes në vend të tjetrit. Një padrejtësi, një shkelje, një shtypje a një cenim, nuk duhet parë kurrë veç në vetvete, por si një realitet që mund të të ndodhë edhe ty në të ardhmen. Si vallë, në cilën pasqyrë e panë veten të gjitha mediat shqiptare, që e heshtën dhe e anashkaluan ngjarjen e simotrës së tyre, si një stuhi e çartur vere? Në pasqyrën e mediave të regjimit? Po populli i lirë i kësaj Shqipërie krenare, në cilën pasqyrë e pa veten? Në pasqyrën e indiferentizmit, moskokëçarjes apo afshit të madh të kësaj vere? Një gjë është bërë tashmë e qartë: regjimi dhe mediat e tij nuk kanë më asnjë shpresë ta gjejnë më veten në një vend të lirë e në demokraci, siç e mendojmë ne Shqipërinë. Asnjë rrugëdalje nuk kanë nga makthi dhe turpi i greminës ku gjenden që të dy. Fjala tani i takon popullit të zgjohet nga gjumi i zhegut, se kur i preket fjala e lirë e një mediaje, zëre se i është prekur dhe ndaluar vetë zëri i tij. Gjë më të vërtetë se kjo lidhje nuk ka. I takon atij të vendosë, duke mbajtur të ngulitur në mendje provën e ngjashmërisë më të gjallë që Edi Rama dha me veprën e atit të tij, dikur ndaj poetit në diktaturë, sot me dënimin e një zëri televizioni në liri. Gjithçka e ka një çmim, përveç lirisë. Ndaj, as atëherë e as sot, xhelatët e lirisë nuk e kanë të gjatë, përkundrazi, fundi i tyre me këtë akt-skandal, sapo ka filluar tatëpjetën, duke e parë veten në pasqyrën e tmerrit që i ka zënë. Asgjë nuk të shpëton Edi Rama, me këtë akt ti ke minuar shtyllën themelore të demokracisë dhe qytetërimit perëndimor, ke minuar lirinë e fjalës, që është guri i tij i themelit. Nga sot e tutje je i ngrati i këtij qytetërimi, e gëzofsh dhe e vuajtsh me nder këtë cilësim që i vure vetes.

/Gazeta Panorama