Wed, Aug 20, 2025

Chris Martin reagon pas skandalit me “Kiss Cam” në koncertin e Coldplay: Do ta vazhdojmë

  • PublishedAugust 20, 2025

Chris Martin reagon pas skandalit me “Kiss Cam” në koncertin e Coldplay: Do ta vazhdojmë

Chris Martin ka sqaruar pse grupi Coldplay nuk do të heqë dorë nga përdorimi i “kiss cam” në koncertet e tyre, pavarësisht polemikës që shpërtheu muajin e kaluar.

Në korrik, gjatë një koncerti në Boston, kamera kapi në ekranin gjigant Andrew Byron, CEO i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, me krahun rreth shefes së burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot. Çifti u përpoq menjëherë të fshihte fytyrat, duke nxitur një batutë nga Martin:
“Ose po kanë një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm.”

Videoja u bë virale. Regjistrat publikë zbuluan se Byron (50) dhe Cabot (56) ishin të martuar me persona të tjerë, megjithëse jetonin veçmas nga bashkëshortët. Të dy dhanë dorëheqje nga kompania, e cila më pas angazhoi Gwyneth Paltrow, ish-bashkëshortja e Martin, si zëdhënëse e përkohshme në një fushatë marketingu ironike.

Pavarësisht situatës, Martin konfirmoi gjatë koncertit të fundit në Hull se “kiss cam” nuk do të largohet:
“Vetëm së fundmi ndodhi… e dini ju,” tha ai, duke iu referuar incidentit. “Kur jeta të jep limona, bën limonadë. Do ta vazhdojmë, sepse duam të takohemi me ju.”

Në të njëjtin koncert, Martin vuri re një fans me pankartën “tre herë në tre muaj” dhe komentoi me humor:
“Ke qenë edhe në atë koncert në Boston. Mirë atëherë, faleminderit që erdhe sërish pas gjithë asaj situate.”

Skandali ka tërhequr vëmendje edhe jashtë fansave të Coldplay. Këngëtari country Morgan Wallen bëri shaka gjatë një koncerti në Arizona:
“Nëse jeni këtu me të dashurën në hije apo diçka tjetër, besoj se jeni të sigurt. Nuk mbështes tradhtinë… më.”