Naun Shundi në betejë për jetën, heshtja e Teatrit Kombëtar dhe turpi i një shteti që i varros artistët gjallë
Naun Shundi, një nga figurat më të dashura të teatrit dhe regjisë shqiptare, sot po lufton me sëmundjen më të rëndë. Ndodhet në një spital në Francë, ku po merr mjekim të specializuar, por përballja e tij nuk është vetëm me sëmundjen. Është edhe me heshtjen e një vendi që i ka duartrokitur aktorët e tij për dekada, por i harron në momentet më të vështira.
Vajza e tij, Rea Shundi, reagoi e tronditur publikisht, duke akuzuar Teatrin Kombëtar, institucionin ku i ati dha shpirt dhe jetë mbi 46 vite, për indiferencën e plotë.
“Babi im po përballet me të keqen më të madhe. Luftën mes jetës dhe vdekjes. Në konceptin tonë, kur e keqja të vjen në derë edhe armiku të bëhet më i ndjeshëm. Kjo nuk ndodhi me institucionin ku babi im i dha frymë dhe jetë shumë personazheve. Teatri Kombëtar. Në kohën kur solidariteti ishte dhe është nga gjithkush, nga institucioni ku babi im i dha jetë për më shumë se 46 vite, hesht. As dy rreshta tekst. Sa trishtim!”, shkroi ajo.
Ndërkohë, familja e tij është detyruar të hapë një llogari në “Gofundme” për të mbledhur fondet e mjekimit, sepse shpenzimet janë të papërballueshme. Ky fakt i hidhur na vendos përballë një realiteti të pashmangshëm: në Shqipëri, artistët që i dhanë shpirt kulturës, në pleqëri ose në sëmundje, mbeten vetëm.
Dhe nuk është hera e parë. Vetëm pak kohë më parë u mësua se Tinka Kurti, “zonja e madhe” e skenës dhe kinemasë shqiptare, një ikonë me mbi 260 role në teatër dhe 95 role në film, ndodhet sot në një shtëpi pleqsh. Një aktore që ndërtoi historinë e artit shqiptar, që na dha figura të paharrueshme dhe na mësoi ç’është shpirti, është sot e harruar nga shteti.
Por Tinka dhe Shundi nuk janë të vetmit. Historia shqiptare është e mbushur me artistë që u larguan nga kjo botë në harresë, pa një falënderim, pa një titull, pa një shenjë mirënjohjeje. Lista është e gjatë dhe e dhimbshme:
Mirush Kabashi, mjeshtër i poezisë dhe skenës, u nda nga jeta në dhjetor 2023, pa marrë as minimumin e kujdesit institucional. Mimika Luca, një nga themelueset e Teatrit Kombëtar, ndërroi jetë në shkurt 2023, duke u përcjellë me shumë më tepër heshtje sesa mirënjohje. Vladimir Prifti, regjisori dhe skenaristi i njohur, u largua në nëntor 2023, pothuajse i anashkaluar nga ata që dikur e kishin bashkëpunëtor.
Dhe vetëm pak ditë më parë, në gusht 2025, u nda nga jeta Zija Grapshi, aktor i dashur i Teatrit të Kukullave, që dha mbi gjysmë shekulli art për breza të tërë, por u harrua gjallë nga shteti. Margarita Xhepa, që edhe pse një ikonë e artit dhe ende gëzon jetë, shpesh është përdorur më shumë për propagandë sesa është mbështetur; Dhimitër Orgocka, që u shua në vetmi, e shumë e shumë të tjerë.
Ky është modeli i një shteti që i përdor artistët për festivale, për propagandë, për ceremoni, por nuk i qëndron pranë kur kanë më shumë nevojë. Një shtet që ndan dekorata pas vdekjes, por nuk ofron as minimumin e respektit gjallë. Një shtet që organizon homazhe me kurora lulesh, por nuk paguan as barnat e tyre kur jetojnë.
Kjo është fytyra e vërtetë e turpit tonë. Ne i kemi lënë artistët të varrosen gjallë në harresë dhe në mjerim. Dhe kur vdesin, mbajmë fjalime të bukura, qajmë lot publikë dhe e përdorim kujtimin e tyre për të bërë politikë.
Rasti i Naun Shundit është një thirrje e fortë: sa artistë të tjerë do të lëmë të ikin në këtë mënyrë? Sa Tinka të tjera do të përfundojnë në azile, sa Sandër Prosi të tjerë do të vdesin të harruar, sa herë do të përsërisim të njëjtin turp?
Sepse një komb që nuk i respekton artistët gjallë, është një komb që ka varrosur shpirtin e vet!