Asllani bëhet “dem”, zgjedh Torinon për të vijuar karrierën: Mezi po pres (VIDEO)
Një tjetër “dem” kuqezi në Torino. Më në fund, Asllani i jep drejtim të ardhmes së tij, largohet nga Milano pas 3 vitesh për të nisur një aventurë të re në ekipin granada. Mesfushori shqiptar zbarkoi një ditë më parë në Torino ku iu nënshtrua vizitave mjekësore, për të firmosur më pas një kontratë 3-vjeçare. Mes disa ofertave, Asllani zgjodhi Torinos, një skuadër që i ofroi garanci sportive, por i plotësoi edhe kushtet ekonomike, 2 milionë euro në sezon.
Ish futbollisti zikaltër firmosi një kontratë 3-vjeçare me ekipin e tij të ri. Inter, skuadër që kishte në pronësi kartonin e tij, u mjaftua me 1,5 milionë euro kesh për huazimin dhe 12 milionë të tjera obligim për blerjen e kartonit në fund të sezonit. Gjithashtu, Inter do të përfitojë edhe 20% të shumës në rast se Torino do të shes mesfushorin kuqezi. I pranishëm në Torino gjatë vizitave mjekësore, Asllani u ndal nga gazetarët e pranishëm, por u mjaftuan vetëm me një deklaratë të shkurtër: “Mezi po pres, por do të flasim sërish. Faleminderit dhe fat të mbarë”, u shpreh Asllani.
Nuk arriti të linte gjurmë në Milano në këto 3 vite, por tifozët shqiptar shpresojnë shumë që Asllani të fitojë jo vetëm një vend si titullar në Torino, por të rikthehet në formë, në një kohë kur ish futbollisti i Inter është një nga lojtarët kryesor në skemat e Sylvinho-s. Në Torino, Asllani nuk do të jetë vetëm pasi pak kohë më parë u transferua edhe futbollisti tjetër i Kombëtares, Ardian Ismajli.