Judge Frank Caprio, gjyqtari që i vuri zemër drejtësisë…
NGA ILIR ÇUMANI
Në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, u nda nga jeta Frank Caprio, gjyqtari që u bë simbol i drejtësisë njerëzore dhe humane. Ka njerëz që lindin për të mbajtur një togë mbi supe, por ka të tjerë që dinë ta mbushin atë togë me shpirt. Frank Caprio ishte njëri prej tyre. Një gjyqtar që nuk e shihte sallën e gjyqit si një skenë të ftohtë ligjesh e nenesh, por si një hapësirë ku njerëzit sillnin barrët e tyre, dhimbjet, gabimet dhe shpresat.
Ai nuk gjykonte vetëm çështje – ai dëgjonte jetë. Në zërin e tij kishte qetësi, në buzëqeshjen e tij kishte ngrohtësi, në sytë e tij kishte një dritë që i thoshte çdo njeriu përballë: “Nuk je vetëm një numër, një gjobë apo një shkelje…. Mbi gjithçka, ti je një njeri”. Frank Caprio dinte ta kthente një gjykim në një mësim për jetën.
Ai i ftonte fëmijët të merrnin vendime së bashku me të, si për t’u thënë: “E ardhmja e drejtësisë jeni ju”. Ai dëgjonte me durim ata që nuk kishin asgjë dhe shpesh, aty ku ligji ishte i ftohtë, zemra e tij gjente rrugëzgjidhje. Falja e tij nuk ishte dobësi, por forcë; ajo lindte nga një bindje e thellë se drejtësia e vërtetë është ajo që i afrohet më shumë njerëzores. Videot e tij, që u shpërndanë në mbarë botën, nuk u bënë të famshme për spektakël, por sepse përçonin një të vërtetë që bota kishte harruar: drejtësia mund të ketë fytyrë, mund të ketë buzëqeshje, mund të ketë zemër.
Pas çdo vendimi të tij, njerëzit nuk dilnin të thyer, por më shpesh të ngritur, të respektuar, të parë. Në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin, ai u largua fizikisht nga kjo botë. Por trashëgimia e tij mbetet gjallë si një testament moral: ligjet janë të nevojshme, por pa mëshirë e mirëkuptim, ato mbeten vetëm shkronja të thata.
Frank Caprio na kujtoi se drejtësia është më e plotë kur është edhe e drejtë, edhe e butë. Në këtë lamtumirë, bota e ndien humbjen e një gjyqtari, por fiton kujtesën e një njeriu të madh. Ai mbetet simboli i togës që dinte të qeshte, i vendimeve që ushqyen shpresën, i fjalëve që i dhanë dinjitet njerëzve më të thjeshtë.
Faleminderit, gjyqtari i mirë! Fjalët, gjestet dhe shpirti yt do të vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë. Ti na mësove se drejtësia nuk qëndron vetëm në librat e trashë të ligjit, por në aftësinë për të parë tjetrin në sy e për t’i thënë me zemër: Të shoh, të kuptoj, të respektoj.
/Gazeta Panorama