Inter bëhet pengesë për Asllanin? Trajneri i Torinos jep lajmin e keq për talentin kuqezi
Kristjan Asllani do të duhet të presë për të veshur fanellën e Torinos, pasi Interi nuk do të plotësojë në kohë dokumentacionin që mesfushori të luajë kundër zikaltërve në javën e parë të Serisë.
Konfirmimi ka ardhur edhe nga vetë trajneri i Torinos, Marko Baroni, i cili duke folur para mediave për ndeshjen që luan ndaj Interit të hënën, ka konfirmuar se Asllani do të ishte spektator në duelin në ”San Siro”.
“A do jetë jashtë? E saktë!”, tha fillimisht ai, duke përmendur më pas përsëri mesfushorin që e cilëson tashmë pjesë të ekipit, kur foli për minutazhin e Ngonge dhe për merkaton që kishte bërë klubi.
“Ngonge ka mundësinë e madhe, ka qenë në një ekip të madh, ka punuar përkrah kampionësh dhe ka fituar një titull kampion. Tani ka mundësinë për të luajtur që nuk e kishte më parë, pres shumë nga ai pasi Ngonge dhe Asllani e kanë kërkuar këtë mundësi. Kush do të hyjë në një ekip, e vendos këtë si aspekt kryesor dhe ne vetëm mund të përfitojmë nga kjo situatë.
Merkato? Pasi u largua Riçi erdhi një lojtar me karakteristika të ngjashme si Asllani. Kemi marrë lojtarë me motivim, lojtarëve u nevojitet gjithmonë fusha dhe besojnë te ky projekt”, vijoi Barone.
Më pas, trajneri foli edhe për Ardjan Ismajlin, i cili do të jetë mungesa e madhe e Torinos në startin e këtij kampionati. “Ai do të bëjë kontrolle të reja të martën, por që tani po punon. Pas pauzës së Kombëtareve mund të kthehet. Asllani nuk do të jetë me ne, nuk ka mungesa të tjera”, tha trajneri i Torinos./ Panorama Sport
()