Tue, Aug 26, 2025

Përfshihet nga flakët lokali i këngëtarit të njohur

  • PublishedAugust 26, 2025

Përfshihet nga flakët lokali i këngëtarit të njohur

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e së martës një magazinë dhe një lokal dasmash në qytetin e Lezhës, pronë e këngëtarit të njohur të muzikës popullore, Zef Beka.

Raportimet nga terreni bëjnë me dije se fillimisht flakët kanë nisur nga një sipërfaqe me shkurre pranë rrugës Laç–Lezhë. Era e fortë bëri që zjarri të përhapej me shumë shpejtësi, duke përfshirë fillimisht një magazinë ngjitur, dhe më pas edhe lokalin e dasmave. Për fat të mirë, nuk raportohet për asnjë person të lënduar, edhe pse në momentin e rënies së zjarrit brenda magazinës ndodheshin disa punonjës, por për fat të mirë ata arritën të dalin në kohë.

Forcat zjarrfikëse u angazhuan menjëherë në vendngjarje, duke arritur kështu ta vendosin nën kontroll vatrën kryesore. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se ndërhyrja e shpejtë në vendngjarje shmangu përhapjen e mëtejshme të flakëve, ndërsa bëri me dije se puna në terren vijon dhe do të vijojë deri në shuarjen e plotë të zjarrit.

Dëmet materiale mbeten të konsiderueshme, ndërsa autoritetet po hetojnë të gjitha rrethanat që çuan në përhapjen e flakëve në objektet e biznesit. Sakaq, ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga vetë këngëtari i muzikës popullore Zef Beka.