Shpërthim misterioz në Kurbin, dyshohet se shënjestra ishte Jozi
Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur orët e para të mëngjesit në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushë Kuqe, Kurbin. Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetases M. D. (alias M. B.) është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar si artizanale. Burimet policore bëjnë me dije se shënjestra mund të ketë qenë këngëtari i njohur Jozi, i cili ka prezencë në televizion.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor. Nga kontrolli paraprak u konstatua se porta e murit rrethues ishte dëmtuar lehtë si pasojë e shpërthimit. Gjatë kontrollit në perimetrin përreth, hetuesit sekuestruan disa gëzhoja, të cilat sipas policisë janë të vjetra dhe u administruan si provë materiale.
Ngjarja është duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë, ndërkohë që grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të rastit. Autoritetet kanë bërë apel që çdo qytetar që ka informacion lidhur me shpërthimin të kontaktojë në mënyrë të menjëhershme Policinë e Shtetit.
Rasti ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet dhe për të parandaluar incidente të tjera të ngjashme në këtë zonë.