Allegri kërkon Rabiot, Tare vihet në lëvizje, por shqetëson Leao
Disfata kundër Cremoneses që në start trazoi jo pak ambientin në shtëpinë e “djallit”, por drejtuesit e Milan vijojnë punën për të ndërtuar ekipin sipas shijeve të Allegrit. Tekniku kuqezi ka shprehur dëshirën e radhës, kërkon në Milano një nga pinjollët e tij të hershëm, Adrien Rabiot, një lojtar që e vlerëson jashtëzakonisht shumë që nga koha kur të dy ishin pjesë e Juventus.
Së fundmi, Rabiot ka bërë gati “valixhet” pas sherrit të bujshëm me Jonathan Rowe. Marseja e ka nxjerr në shitje, por jo pa marrë atë që kërkojnë. Klubi francez vlerëson kartonin e mesfushorit me 15 milionë euro, por këtë shifër e kërkojnë kesh, nuk preferojnë të përfshijnë në negociata lojtarë të tjerë si Bennacer. Nga ana tjetër, Rabiot kërkon një pagë sezonale prej 5 milionë euro, plus bonuse, për të arritur tek 6 milionë euro.
Sipas mediave italiane, Igli Tare është vënë menjëherë në lëvizje duke takuar agjentët e lojtarit francez për të kuptuar nëse ekziston mundësia për një transferim në Milano.
Në pritje të përforcimeve të tjera, Allegri duhet të bëjë llogaritë me grupin që ka në dispozicion dhe me një mungesë shumë të rëndësishme, atë të Rafa Leaos. Sulmuesi portugez nuk ishte në dispozicion për sfidën e parë, atë kundër Cremoneses, por sipas mediave italiane nuk pritet të jetë në fushë as kundër Lecces, rivalit të radhës në Serie A.
Leao vijon të stërvitet i diferencuar dhe sipas të gjithë gjasave do të mungojë sërish pasi stafi mjekësor nuk dëshiron të rrezikojë. Portugezi pritet të rikthehet më 24 shtator, pas pauzës së kombëtareve, për takimin kundër Bologna-s në “San Siro”.
()