Certifikohet rezultati i zgjedhjeve, por kontestimet vazhdojnë

Pothuajse 4 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit u certifikua rezultati final për parlamentin e ri që nis punën në shtator. Organet vendimmarrëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor u bënë pjesë e një procesi të gjatë ankimimesh për rezultatin përfundimtar, që solli disa vendime për hapje kutish në qarqe të mëdha, pasi opozita kundërshtoi rezultatet paraprake.
Të enjten, Komisioni Rregullator pranë KQZ-së miratoi me tre vota pro dhe dy kundër projektvendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar, si një akt final që shënon mbylljen e procesit zgjedhor.
Pavarësisht hapjes së kutive, rezultatet paraprake nuk ndryshuan, duke shpallur si fituese Partinë Socialiste me 83 mandate deputetësh, ndërkohë që koalicioni opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” zbret në 50 mandate.
Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi mori tre mandate deputetësh, ndërkohë që në parlament futen edhe tre partitë e reja ; Mundësia me dy mandate si dhe Lëvizja Bashkë e Nisma Shqipëria Bëhet me nga një mandat.
Vendimmarrja e Komisionit Rregullator u parapri nga debate të anëtarëve mbi standardet e vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
“Këto zgjedhje nuk ishin të lira, ishin larg standardeve,” tha anëtarja Helga Vukaj duke deklaruar votën kundër të saj .
Ndërsa kryetarja Ilirjana Nano e cilësoi vendimmarrjen e këtij organi si një certifikim administrativ të një procesi që i kishte kaluar më parë 3 hallkat e ankimimit dhe vendimmarrjes dhe nuk kishte vend për debate.
Duke vijuar qëndrimin e tij ndaj procesit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi menjëherë pas vendimit se partia e tij nuk do t’i njihte rezultatet e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si “një farsë e vërtetë elektorale”.
Për organizatat e shoqërisë civile që monitoruan procesin zgjedhor, vonesa e shpalljes së rezultatit përfundimtar shkakton mosbesim të publikut tek institucionet menaxhuese të procesit dhe se problematikat e shfaqura duhet të adresohen.
“Vonesa shkaktoi mosbesim të publikut tek institucionet që menaxhojnë zgjedhjet, brenda dhe jashtë forcave politike, krijoi tension artificial mes palëve dhe brenda palëve politike dhe ishte një pike e humbur në garën tonë me vendet e rajonit për në BE në raport me menaxhimin e proceseve zgjedhore,” i tha BIRN-it Rigels Xhemollari, drejtor i “Qendresa Qytetare”.
Sipas tij, vonesa kishte shkaqe politike me kontestimin e zgjedhjeve nga opozita, që sipas tij mbingarkoi sistemin me ankesa “për të shtyrë pranimin e humbjes”.
Nga ana tjetër, ai vëren se shkaqet teknike lidheshin me përdorimin minimal të votimit dhe numërimit elektronik, paqartësinë e listave të hapura dhe manipulimeve me votat brenda listës së hapur të forcave politike.
Xhemollari konstaton se problematikat kryesore të këtyre zgjedhjeve ishin komisionerët politikë dhe përdorimi i shtetit dhe burimeve publike.
“Këto struktura militante që funksionojnë me urdhër partie, jo profesionale duhet të mos kenë të bëjnë më me administrimin zgjedhor,” thotë ai, duke sugjeruar si ‘urgjente’ zëvendësimin e tyre me administratë apolitike.
Në aspektin e ndikimit të shtetit në zgjedhje, Xhemollari sugjeron se “duhet të rregullohet kodi dhe aktet e brendshme për të parandaluar amnisti, shpërblime, etj., në këmbim të votës”.
Për herë të parë në këto zgjedhje u praktikua vota me postë për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ose siç u quajt ‘vota e Diasporës” dhe një sistem i ri listash të kandidatëve nga ai i vitit 2021.
Para zgjedhjeve të 11 majit, një pakt mes socialistëve në pushtet dhe opozitës çoi në një sistem miks të listave të hapura dhe të mbyllura.
Kjo çoi në një ‘luftë’ të brendshme për vota nga kandidatët e të njëjtit subjekt politik e po ashtu u bë shkak për një situatë kaotike në koalicionin e ri “Nisma Shqipëria Bëhet” mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Sipas Xhemollarit, këto zgjedhje kishin disa risi që lidheshin me listat.
“Listat gjysmë të hapura shkaktuan tensione brenda palëve politike dhe krijuan kandidatë potencialë, por artificialë në aspektin politik. Mandatimi me deputetë i forcave të reja ishte po ashtu një risi politike,” thotë ai. Po ashtu, Xhemollari e quan risi rolin aktiv të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për hetimin e krimeve zgjedhore.