Kombëtarja U-21 nis përgatitjet për miqësoret ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës
Kombëtarja U-21 ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të muajit shtator ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës.
Ekipi zhvilloi pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët kanë mbërritur në grumbullim dhe grupi ishte i plotë në stërvitjen e parë.
Trajneri Alban Bushi, gjatë kësaj seance stërvitore, vëzhgoi nga afër gjendjen fizike të lojtarëve dhe provoi disa skema të ndryshme taktike.
Kombëtarja U-21 do të mbyllë të enjten përgatitjet për ndeshjen e parë miqësore ndaj Gjermanisë U-21, e cila do të luhet të premten, në “Elbasan Arena”, në orën 18:00.
Hyrja në stadium për këtë ndeshje është falas dhe të gjithë tifozët janë të ftuar të mbështesin kuqezinjtë nga shkallët e stadiumit.