Ndeshjet e shtatorit, trajneri i Kosovës: Kam besim te skuadra, japim maksimumin
Numri një i stolit të Kosovës, Franko Foda iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjeve ndaj Zvicrës dhe Suedisë, takime këto të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
“Jemi në një grup shumë të vështirë. Zvicra dhe Suedia janë ekipe me shumë cilësi. Edhe Sllovenia, e cila u kualifikua herën e fundit në Evropian, ka një ekip shumë të mirë. Por, pavarësisht të gjithave, gjithçka është e mundur. Edhe ne kemi cilësitë dhe mundësitë tona. Vendi i parë kualifikohet direkt, ndërsa ekziston edhe mundësia që përmes ‘play-off’-it të luftojmë për vendin e dytë. Ne luajmë futboll dhe jetojmë për futbollin.
Ëndrrat bëhen realitet vetëm kur beson vërtet dhe je i bindur se mund të arrish. Këtë mesazh do t’ua përcjell edhe lojtarëve gjatë javës. E dimë që nuk është grup i lehtë dhe se jemi autsajder, por edhe një autsajder mund të jetë shumë i rrezikshëm. Ne do të japim gjithçka për vendin tonë, për Kosovën, që për herë të parë të kualifikohemi në Kupën e Botës”, tha Foda.