Mon, Sep 1, 2025

Pritshmëritë e legjislaturës së re parlamentare

  • PublishedSeptember 1, 2025

Pritshmëritë e legjislaturës së re parlamentare

AFRIM KRASNIQI

Kur nis një legjislaturë, qytetarët kanë pritshmëri të larta. Zgjedhjet kanë mbaruar, një parlament i ri është në detyrë, më shumë se 50% e tij janë deputetë për herë të parë dhe Shqipëria ka tashmë përvojë të fituar me 10 legjislatura gjatë 35 viteve të fundit.

Ndryshe nga perceptimi publik, i cili bazohet edhe në dy qasje subjektive, nevojën e një pjese qytetarësh për të besuar e shpresuar për ditë më të mira për shtetin e shoqërinë, si dhe nevojën e votuesve aktivë, sidomos votuesve të shumicës fituese, për të besuar e shpresuar se vota e tyre (ka) kishte vlerë. Të dyja janë të pritshme. Nga ana tjetër, për ekspertët dhe studiuesit kriteret janë të tjera: niveli i legjitimitetit të legjislaturës së re, cilësia e deputetëve, tradita politike dhe hierarkia e reformave prioritare në interes të vendit. Nëse pritshmëria analizohet bazuar në këto katër kritere klasike, legjislatura e re e ka humbur shansin që tani që të bëjë ndarjen me tranzicionin, të jetësojë integrimin e premtuar në BE dhe të krijojë një mjedis e shtet më demokratik e më përfaqësues, të bazuar në vlera, parimet e ndarjes së pushteteve, treg të lirë konkurrues dhe të drejtat e njeriut.

Fakti është aty: Në traditën e tranzicionit legjislaturat e para pas rotacioneve politike janë më të suksesshmet (1992, 1997, 2005 dhe 2013). Mandatet e dyta kanë prodhuar korrupsion e skandale, të tretat emigrime, pesimizëm, shkarje të standardeve të demokracisë dhe qeverisje të personalizuar dhe oligarkike. PS fituese është në mandatin e saj të katërt, i treti mandat e vetme në qeverisje, me të njëjtin kryeministër dhe të njëjtën sjellje, retorikë e premtime politike. Suksesi i saj historik, më shumë se bilancit qeverisës i dedikohet dështimit historik të opozitës.

Kriza dhe dobësia periodike e opozitës është arritja më e rëndësishme e PS dhe strukturës patronazhiste të saj në shtet e shoqëri. Nga alibia e tri luftërave të fituara më 2021 (COVID, tërmeti dhe Ukraina) PS e ka njësuar veten me kryetarin e saj, integrimin, Europën, Zotin dhe të ardhmen e vetme të vendit, – një qasje arrogante dhe fyese për demokracinë. Në këtë histori nuk ka vetëm një palë përgjegjëse, – lidershipi i opozitës zgjodhi po ashtu njësimin me kultin e individit dhe refuzimin e reformimit të saj. Ajo kërkon që shoqëria të ndryshojë sjellje dhe ta pranojë pa kushte si e keqja më e vogël, – një ofertë gjithashtu fyese për demokracinë dhe gjithçka përfaqësonte identiteti politik mbi të cilin u krijua opozita në dhjetor 1990. Legjislatura e re nis me konflikt politik mbi legjitimitetin, i cili gjithsesi nuk ka ndonjë të ardhme dhe nuk ndikon në raportet politike. Nis gjithashtu me një listë të gjatë të deputetëve nën hetim nga SPAK apo të dërguar të grupeve financiare e kriminale, me pak politikanë moderatorë dhe me përvojë parlamentare dhe me shumë politikanë amatorë dhe pa përvojë politike. Opozita nuk ka mekanizëm presioni përveç ndryshimeve të mundshme në Kushtetutë, ndërkohë që politikanët militantë priten të shpërblehen me poste drejtuese, duke dobësuar profesionistët, komisionet dhe grupet parlamentare. Funksioni kryesor i Kuvendit është procesi ligjvënës, por pritshmëritë se deputetët do propozojnë ligje janë minimale. Gjithnjë qeveria ruan monopolin.

Funksioni i dytë është ai kontrollues ndaj ekzekutimit. Në fakt, është ekzekutivi që rrit kontrollin e parlamentit dhe ndryshimi i strukturës (komisione) ka këtë qëllim, që qeveria të mos gjejë asnjë pengesë numrash dhe procedurash për të kaluar aktet e saj. Funksioni i tretë është ai mbikëqyrës mbi institucionet e pavarura, në fakt me 83 vota pro dhe 3 të PSD rezervë, legjislatura e re pritet të kontrollojë dhe ndikojë mbi institucionet e pavarura, duke e dobësuar edhe më shumë konceptin e ndarjes së pushteteve dhe institucioneve të garancisë. Edhe sulmet e fundit politike ndaj gjyqësorit e prokurorisë apo komisioni i posaçëm kërcënues e forcon ketë trend negativ. Funksioni i katërt lidhet me atë zgjedhor, mbi 50 individë zgjidhen nga legjislatura e re, përfshirë Presidentin e ardhshëm të Republikës dhe deri tek komisionerë dhe anëtarë bordesh. Ndryshe nga rekomandimi i BE-së, zgjedhja pritet të jetë formale, – PS nuk ka nevojë për votat e opozitës dhe mund të zgjedhë cilindo që fiton besimin e kryetarit të partisë. Funksion thelbësor kushtetues është ai përfaqësues, parlamenti si “tempull i demokracisë”: legjislatura e re do ta ketë të vështirë ta realizojë këtë, për sa kohë shumica absolute e deputetëve nuk janë zgjedhur nga qytetarët, por nga listat e mbyllura të dy individëve, kryetarëve respektivë të PS e PD.

Për të kuptuar çfarë do të vijë dhe çfarë pritet prej saj le të sjellim ndërmend tri elemente, – gjuhën politike agresive plot fyerje, etiketime, bullizim dhe propagandë të liderëve kryesorë politikë, faktin që mbi 95% e Kuvendit vjen nga të njëjtat parti të 35 viteve dhe elementi i tretë, në “prurjet e reja” modeli pasqyrohet në më të votuarit në Elbasan, Fier e Durrës, në deputetët që vijojnë nën hetim nga SPAK dhe në rikthimin e individëve nën masë ndëshkuese nga SHBA, Britania e Madhe, Australia dhe disa vende të BE-së. A mund të jetë kjo legjislatura që e përgatit vendin për anëtarësim në vitin 2023 në BE? Ky është premtimi, ky ishte slogani elektoral. Besimi publik te partitë është 18-20%, te parlamenti 23-30%, te BE, SHBA dhe SPAK mbi 70-75%%, pra qytetarët nuk i besojnë elitës së tyre politike e drejtuese, por institucioneve ndërkombëtarë dhe institucionit të akuzës së sponsorizuar prej tyre.

Kjo piramidë besimi bëhet edhe më problematike në realitetin ku jetojmë: me një prezencë amerikane të tërhequr, një BE në krizë, një rajon të trazuar dhe një sistem sigurie që rrit fondet për armët dhe ul ato për demokracinë, Shqipëria dhe as rajoni nuk priten të jenë prioritete në politikat euroatlantike. Kërkesa e vetme ndaj tyre është ajo minimale, nevoja për stabilitet politik dhe jo nevoja për demokraci funksionale. Kjo kërkesë është lehtësisht e realizueshme, por për qytetarët tanë, interesat dhe sfidat e vendit, dukshëm e pamjaftueshme. Stabiliteti nuk prodhon as demokraci, as shtet të së drejtës dhe as zhvillim ekonomik, kombinimi i tij me demokracinë funksionale dhe jetësimin e shtetit ligjor me referencë standardet e BE-së për objektivat tona afatgjata do të ishin zgjidhja më e mirë. Një zgjidhje që paradoksalisht u shkon për shtat qytetarëve e shoqërisë, por jo lidershipit aktual politik, përfshirë autokratit që drejton Shqipërinë. Së fundi, le të kujtojmë se deputetët janë kategoria e dytë më e paguar nga taksat qytetare. Ndryshe nga kategoria tjetër, përfitimi është afatgjatë, dmth., trajtohen përjetësisht edhe pas mandatit me pension të posaçëm.

Një masë luksoze konsensuale e mundësuar në kërkim të nevojës që ata të ushtrojnë funksionin me integritet, profesionalizëm dhe transparencë. Ata zgjidhen për të shërbyer, por ata nuk duhen lejuar ta kthejnë shoqërinë në shërbëtore të tyre. Shqipëria e vitit 2025 ka disa mekanizma mbrojtës. Në institucione ka ende individë me integritet, negociatat me BE krijojnë mundësi presioni, SPAK/GJKKO mbeten një shpresë drejt pandëshkueshmërisë, KLSH dokumenton abuzimet dhe një pjesë e shoqërisë civile është burim referimi serioz për qytetarët dhe vendet partnere. Me legjislaturën e re, vetë qytetarët, media dhe grupet civile, etj., duhet të zgjohen nga ëndrra ku “djajtë bëhen engjëj” dhe me kurajë e vendosmëri duhet të ushtrojnë çdo ditë rolin e përgjegjësinë e tyre, – llogaridhënien, kritikën dhe presionin pozitiv. Kjo është edhe një nga pritshmëritë optimiste se legjislatura e re, ndonëse nuk pritet të jetë as reformatore dhe as historike, të ruaj disa elementë thelbësorë të parlamentarizmit dhe për shkak të ripërtëritjes dhe prurjeve të reja, të projektojë gjeneratën e ardhshme të politikës./Gazeta Panorama