Rayo frenon Barçën, Flick e pranon: Nuk meritonim më shumë (VIDEO)
Ndryshe nga se pritej, Barcelona po has shumë vështirësi në këtë start sezoni në La Liga. Nëse në sfidën e fundit fituan me fat ndaj Levantes, ndaj Rayo Vallecano-s ishin me fat që dolën me një pikë pasi vendasit ishin dukshëm më superior, më të drejtë një pikë i rri “ngushtë” në një kohë kur iu anuluan edhe dy gola për pozicion jashtë loje. Ivan Balliu e shijoi nga bankina këtë takim, asnjë minutë për anësorin kuqezi.
Lamine Yamal fitoi një 11-metërsh në minutën e 40-të dhe po vetë nga pika e bardhë u tregua i saktë duke kaluar Barcelonën në avantazh. Historia ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, ku fillimisht Rayo gjeti rrugën e rrjetës, por gjyqtari i takimit frenoi festën duke anuluar golin për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 67-të, askush nuk mund të ndalte festën e tifozëve të Rayo-s pasi Perez me një goditje të fortë fluturimthi brenda në zonë barazoi shifrat në 1-1. Me Barçën të fikur totalisht, Rayo besoi se mund të fitonte këtë takim, flirtuan me golin e dytë në disa raste, por pa sukses. Në vetëm 3 javë, Barcelona lëshon menjëherë kreun, pronë e Real Madrid me 9 pikë të plota, plus 2 nga Barça. Pranoi atë që dha fusha Hansi Flick, në sytë e tij ekipi nuk meritonte më shumë:
“Nuk meritonim më shumë se një pikë. Për fat të mirë kishim një super portier pasi bëmë shumë gabime. Nuk jam aspak i kënaqur me ekipin tim, humbëm shumë topa, bëmë shumë gabime, pa diskutim kjo nuk ishte një ndeshje e mirë për ne”, u shpreh Flick pas barazimit 1-1 kundër Rayo Vallecanos.
()