Sekreti i darkës intime që tregoi fatin e William dhe Kate
Grant Harrold, ish-butler i familjes mbretërore britanike, ka ndarë një kujtim të veçantë që sipas tij tregonte qartë se Kate Middleton dhe Princi William ishin të destinuar për martesë. Harrold shërbeu për Mbretin Charles, atëherë Princ i Uellsit, nga viti 2004 deri në vitin 2011, dhe gjatë kësaj kohe pati mundësinë të shihte nga afër fillimet e lidhjes së çiftit.
Pas ndarjes së shumëpërfolur të çiftit në vitin 2007 dhe ribashkimit të tyre pak muaj më vonë, Harrold kujton një darkë intime në Highgrove House në vitin 2008, në të cilën shërbeu vetëm për William dhe Kate. “Ishin vetëm të dy, ishte një atmosferë e qetë dhe romantike, por edhe shumë miqësore me mua. Pikërisht atëherë e kuptova që do të martoheshin,” tha ai për mediat britanike.
Sipas Harrold, pas ribashkimit të tyre, marrëdhënia e çiftit ndryshoi dukshëm. “Më parë dukeshin më shumë si miq, por pas kthimit bashkë, gjithçka ndryshoi. U bënë një çift i pandashëm dhe ne e dinim që martesa ishte vetëm çështje kohe,” shtoi ai.
Më 29 prill 2011, Princi William dhe Kate Middleton u kurorëzuan në një nga ceremonitë mbretërore më të ndjekura në botë. Harrold thekson se marrëdhënia e tyre i kujtonte atë të Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Philip, të cilët përveçse bashkëshortë, ishin edhe miqtë më të mirë të njëri-tjetrit.
“Janë partnerë në dashuri dhe në jetë, njësoj siç ishin Elizabeth dhe Philip,” tha ish-butleri.