Sharon Osbourne përkujton Ozzy-n me një gjest prekës
Sharon Osbourne ka reaguar për herë të parë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, legjendës së rokut Ozzy Osbourne, me një gjest simbolik dhe emocional. Ozzy, vokalisti ikonik i Black Sabbath, ndërroi jetë më 22 korrik në moshën 76-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi muzikore të jashtëzakonshme.
Ceremonia e varrimit u zhvillua në rezidencën e tij në Buckinghamshire dhe ishte private, ku morën pjesë familja, miqtë më të afërt dhe figura të njohura të muzikës, përfshirë Marilyn Manson dhe kitaristin Zakk Wylde. Në fundjavë, ekipi që menaxhon llogarinë e Ozzy-t në Instagram publikoi një fotografi të fundit të tij në skenë, me mbishkrimin: “Nuk dua të them lamtumirë. Kur ta bëj, do të jesh mirë. Në fund të fundit, e bëra gjithçka për ty”. Sharon, 72 vjeç, reagoi duke e pëlqyer këtë postim, një përshëndetje e heshtur dhe e ëmbël për partnerin e jetës.
Dokumentet zyrtare tregojnë se shkaqet e vdekjes së Ozzy-t ishin arresti kardiak, infarkti akut i miokardit dhe sëmundja e arteries koronare, si dhe komplikacionet e Parkinsonit, i diagnostikuar tek ai në vitin 2019. Vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta në botën e muzikës dhe showbiz-it, ndërsa familja deklaroi se Ozzy u nda nga jeta “i rrethuar nga dashuria”. Ndërkohë, dokumentarë mbi jetën e tij janë duke u përgatitur nga BBC dhe Paramount+, megjithatë projekti i BBC-së është shtyrë pas shqetësimeve të familjes mbi trajtimin dhe tonin e programit.