Udinese “shfryn” Inter, i “thyen” në “San Siro”, Chivu: Jemi një kantier ndërtimi (VIDEO)
Triumfi 5-0 ndaj Torinos në start krijoi iluzionin se Inter ishte rikthyer në versionin spektakolar, por Udinese i “shfryn” në javën e dytë duke kthyer me “këmbë në tokë” Chivu-n dhe pjesën tjetër të stafin zikaltër. Në “San Siro”, Dumfries solli festën që në minutën e 17-të, me anësorin holandez që ndoqi mirë aksionin dhe i pa shqetësuar në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur.
Festa nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 29-të, Dumfries këtë herë u kthye në protagonist për keq teksa një prekje e topit me dorë nga ana e tij solli penallti për Udinesen. Nga pika e bardhë, Davis u tregua perfekt duke barazuar shifrat në 1-1.
Udinese nuk u mjaftua me kaq, por në limitet e pjesës së parë, Atta finalizoi një kundërsulm të shpejtë duke përmbysur rezultatin. Inter u përpoq të reagonte në fraksionin e dytë në përpjekje për të shmangur këtë humbje të rëndë. Dimarco gjeti golin në minutën e 62-të, por gjyqtari i takimit me ndihmën e sistemit VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Thuram. Udiense mbrojti me fanatizëm rezultatin 1-2 duke dalë me një trepikësh të madh nga “San Siro”.

“Inter, çfarë goditje”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë.
Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri Chivu: “E nisëm mirë, por më pas nuk ishim të qartë për të ndërtuar dhe për të krijuar superioritet. Në rastin e parë të vështirë humbëm qartësinë. Jemi një kantier i hapur në kërkim të rrugës së duhur. Duhet të punojmë fort, kampionati është i gjatë”, u shpreh Chivu.
()