Bylisi nuk e ka ndalur merkaton dhe planifikon goditjen e fundit, Josa i fiksuar me miqësoret
Surprizat e merkatos te Bylisi mund të vazhdojnë, pasi drejtuesit kanë qenë në bisedime edhe me një lojtar mesfushor qendre prej ditësh dhe nëse afrojnë edhe atë, atëherë ekipi do të jetë i blinduar në çdo repart, madje me afrimet e fundit edhe konkurrenca rritet, jo vetëm për në formacion, por edhe në stolin e rezervave të mallakastriotëve që kanë synime madhore këtë sezon.
Ballshiotët mund të luajnë edhe ndonjë test në fundjavë, me ndonjë nga skuadrat e Kategorisë së Parë, në mënyrë që të shohin edhe më mirë formën e dy sulmuesve të rinj, por edhe lojtarët që janë në dispozicion të qëndrojnë sa më të karikuar. Ndeshja e radhës me Egnatian luhet pas një jave e gjysmë, ndaj edhe në Ballsh duan që të rikthehen me çdo kusht te fitorja. Ruajtja e grupit bazë të sezonit të shkuar dhe afrimet në merkato e kanë konsoliduar jo pak skuadrën e trajnerit Mirel Josa.
Ky i fundit tashmë ka edhe mundësi zgjedhjeje. Ashtu si në dy sfidat e para, presidenca bashkë me stafin kanë menduar që ta mbajnë skuadrën të grumbulluar, pasi sfida me Egnatian konsiderohet mjaft e rëndësishme. Bylisi, me afrimet e realizuara, po synon të marrë fitoren e parë, aq më tepër që luan në “Adush Muçaj”, ku në dy javët e para ka marrë vetëm 2 pikë. Ndaj edhe mallakastriotët duan ta shfrytëzojnë në maksimum këtë periudhë ndërprerjeje të garës për t’u përgatitur sa më mirë për sfidën e radhës.