Sat, Nov 8, 2025

Milinkoviç shtrydh “demat”, spikat afrimi i verës te Partizani. Rikthehet Kote në stërvitje

  • PublishedSeptember 3, 2025

Partizani është rikthyer në stërvitje dhe po punon me ritëm të plotë. Ky është momenti për Mladen Milinkoviç, që të punojë më tepër idetë e tij me skuadrën. Dhe tekniku i “demave” po e bën në mënyrën më të mirë. Partizani po aplikon dy seanca stërvitore në ditë. Kështu edhe futbollistët po marrin ngarkesë maksimale, pas dy javëve të Superiores.

KOTE- Mesfushori ka lënë plotësisht pas shqetësimet që e kanë penguar të luajë në Superiore. Kote është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës dhe tashmë është koha për të treguar potencialin e tij para Milinkoviç. 21-vjeçari është prej më shumë se dy vitesh pjesë e klubit të kuq. Për Koten është folur shpesh herë me superlative, por dëmtimet e kanë penguar që të ketë vazhdimësi.

SPIKAT- Arafat Doumbia ishte afrimi i fundit i Partizanit për muajin gusht. Mesfushori që preferon të jetë një numër 8 për skuadrën, po jep sinjale mjaft pozitive në stërvitje. 20-vjeçari nga Bregu i Fildishtë mund të kthehet në surprizën e këtij edicioni për të kuqtë.

MUNGESA- Disa futbollistë mungojnë në stërvitje, për shkak të angazhimeve me ekipet kombëtare. Rrok Toma, që është transferimi i fundit, nuk mund të stërvitet me Milinkoviç pasi ndodhet i grumbulluar me Kombëtaren U-21. Bashkë me të qëndron edhe Besar Gudjufi. I preferuar titullar në dy javët e para, Gudjufi është nën urdhrat e Alban Bushit që ka treguar besim tek ai. Sfidat miqësore të Shqipërisë U-21 janë përballë Gjermanisë U-21 dhe Zvicrës U-21.

Kështu shikohen edhe si mundësi për t’u promovuar më shumë. Milinkoviç ka mungesa të tjera po ashtu në stërvitje. Një tjetër element i rëndësishëm, Tedi Malaj, po angazhohet me moshat. Konkretisht i ftuar nga Julian Ahmataj në Kombëtaren U-19. Dy talentet në moshë 16-vjeçare, Elson Himallari dhe Dion Vata, do të lënë Partizanin për Kombëtaren U-19. Këto futbollistë janë pjesë e ekipit të parë, megjithatë të kuqtë kanë edhe elementë të tjerë të ftuar në grupmoshat U-17 dhe U-19. Bëhet fjalë për portierin Darius Zadeja me përfaqësuesen U-19, si dhe Frensi Mala me Robin Ballën tek ekipi U17. Kazim Ogunleje është një tjetër futbollist i ekipit të parë, që prej dy javësh nuk ndodhet në Tiranë. Shkak është angazhimi me Nigerinë U-20 në prag të Botërorit U-20 ku do të luajnë në grupe. Asnjë skuadër tjetër nga Superiorja nuk ka një kontingjent të tillë.

VLLAZNIA- Partizani do të rikthehet në fushë më 13 shtator. Transferta e parë për këtë sezon në Superiore do të jetë në Shkodër, me orën që mbetet për t’u përcaktuar. Partizanin e pret Vllaznia, një rival që këtë sezon është përforcuar dhe pretendon të fitojë trofe. Kështu të dyja skuadrat do të kenë mundësinë të shikojnë nivelin e tyre, pas plotësimit të ekipit nga merkato.


AlbaniaWeb.net