Giorgio Armani, lamtumira e punonjësve: Ne jemi pjesë e një familje
Bota e modës është zhytur në zi pas ndarjes nga jeta të ikonës së stilit italian, Giorgio Armani, i cili u shua në moshën 91-vjeçare. Themeluesi i një prej shtëpive më të njohura të modës në botë, Armani la pas një trashëgimi që shkon përtej dizajnit dhe rrobave elegante, ai la pas një vizion, një filozofi pune dhe një familje që ai e krijoi vetë: kompaninë që mban emrin e tij.
Në një mesazh prekës, i publikuar në gazetat italiane Corriere della Sera dhe La Repubblica, familja dhe punonjësit e shtëpisë Armani i janë drejtuar publikut dhe vetë themeluesit të tyre, me fjalë që reflektojnë dhimbjen, krenarinë dhe përkushtimin për të çuar përpara trashëgiminë e tij.
“Në këtë kompani, ne gjithmonë jemi ndjerë pjesë e një familjeje. Sot, me emocione të thella, ndiejmë boshllëkun e lënë nga ata që themeluan këtë familje dhe e bënë atë të rritet me vizion, pasion dhe përkushtim,” – shkruhet në hyrje të mesazhit, që ngjall ndjesi të forta jo vetëm te ata që e kanë njohur nga afër stilistin, por edhe te miliona ndjekës të markës së tij në mbarë botën.
Këto fjalë vijnë jo vetëm si një homazh ndaj njeriut që revolucionarizoi modën moderne me linjat e tij minimaliste dhe elegante, por edhe si një angazhim moral për të mbrojtur dhe vazhduar trashëgiminë që ai la pas.
“Por është pikërisht në frymën e tij që, së bashku – ne, punonjësit dhe anëtarët e familjes që kemi punuar gjithmonë përkrah z. Armani – jemi të përkushtuar për të mbrojtur atë që ai ndërtoi dhe për të vazhduar kompaninë e tij në kujtim të tij, me respekt, përgjegjësi dhe dashuri.”
Një jetë e dedikuar modës, por edhe njerëzve
Giorgio Armani nuk ishte thjesht një stilist. Ai ishte një vizionar që ndryshoi mënyrën se si vishen burrat dhe gratë moderne, duke krijuar një gjuhë të re estetike që bashkonte elegancën me thjeshtësinë, luksin me funksionalitetin. Por mbi të gjitha, ai ishte një lider i qetë dhe i vendosur, i cili ndërtoi një kompani të qëndrueshme dhe një kulturë pune ku njeriu vinte gjithmonë në plan të parë.
Për dekada me radhë, ai krijoi një marrëdhënie të veçantë me punonjësit e tij, shumë prej të cilëve i qëndruan besnikë për gjithë jetën. Nuk është rastësi që në këtë mesazh, ata nuk e quajnë vetëm “themelues” apo “shef”, por dikë që “ndërtoi një familje”.