Mon, Sep 8, 2025

Anti-shteti

  • PublishedSeptember 8, 2025

Anti-shteti

NGA BEN ANDONI 

Nëse Shqipëria në fund të dekadës së tretë së shekullit XXI bëhet anëtare me të drejta të plota në BE, atëherë asnjë narracion, vërejtje, kritikë dhe kundërshtim nuk  do ketë ndonjë domethënie të madhe për qeverinë IV të z. Rama, por edhe ndaj vetë kryetarit më jetëgjatë të qeverive shqiptare post-‘90. Madje, mund t’i gëzohet dhe statusit të Burrit të Shtetit me të cilin e miklojnë shpesh vartësit e tij, jo pak herë qesharakë. Tek e fundit është një dëshirë e kahershme dhe thelbësore e liderit shqiptar. Dhe, koha po e ndih me premtimet e Brukselit. Ndërkohë në mandatin e katërt socialist është ‘dorëzuar’ dhe është bërë ‘bashkëpunuese’ opozita (madje ka aludime për përfshirje në qeveri); emërimet, qoftë edhe ato më të papërshtatshmet nuk diskutohen më, sepse shpesh brenda sheh dhe dorën e PD-istave; nuk bën më përshtypje zjarri që shkrumboi këtë vit gati 2% të territorit kombëtar të Shqipërisë (!); po krijohen struktura të reja për mbetjet dhe ujin, edhe pse në fakt janë plot 50 struktura të tilla që tashmë do të disiplinohen me një autoritet qendror (Tirana ka vetëm 3 orë ujë në ditë!); turizmi do të plugohet dhe administrimi në “Karaibet” tona do rishikohet dhe kështu me radhë tek industria ushtarake, që do jetë sfidë e zhvillimit të shqiptarëve.

Në një pamje të parë duket se shtetit po i shkohet deri në themel. Veçse fushata e disatë herë e informalitetit gjatë drejtimit Rama, ka nxjerrë që njerëzit e administratës shpërdorojnë pa iu dridhur qerpiku, korruptohen sistematikisht, ndërsa nuk mbarojnë vjedhjet dhe shpërdorimet. Pa asnjë mëdyshje grupe të funksionarëve të Bashkive dhanë dorëheqje duke na treguar se perceptimi publik ndaj tyre është i duhuri, ashtu si servilizmi i tyre ndaj Ramës është proverbial. Pasojat: Panorama e Shqipërisë me gjithë vlerësimet për varfërinë mbetet sërish stresuese. Varfëria parashikohet të ulet me 1.1 pikë përqindje këtë vit, por sërish 20% e popullsisë së vendit do të përballet me fenomenin, parashikon Banka Botërore në përmbledhjen e fundit që publikoi për Shqipërinë. Pas rritjes në 33.1% në vitin 2020 për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, varfëria vlerësohet të ketë rënë në 22.5% në vitin 2023, prej rritjes PBB-së për frymë, ndërsa pritet të ulet edhe më tej me 1.5 pikë% në vitin 2024 dhe 1.1% më 2025, analizon Banka.

E megjithëse pabarazia ka shënuar rënie, ajo mbetet në nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor pas Malit të Zi (36.9). Shqipëria ruan një hendek të lartë krahasuar me standardin global të mirëqenies 25 USD në ditë për person. (Monitor, 2025).

Këto statistika e tregojnë qeverisjen “Rama” se është larg realitetit dhe punon më shumë për make-up qeverisës dhe dukje ndërkombëtare, por jo themele dhe të ardhme shteti. Tashmë që jemi të mbushur me premtime për anëtarësim dhe ku shpejt nisim udhën e vështirë dhe me pengesa të mbylljes së kapitujve, një gjë kuptohet qartë: Shqipëria e Ramës nuk është ende Shqipëria e qytetarëve të saj. Anti-shteti e ka zënë për fyti shtetin. Jo më kot, çmimet e harlisura, shërbimet e munguara, mosfunksionimi i shtetit social, emërimet shpesh të turpshme, infrastruktura problematike e vendit, transporti ende në nivele të prapambetura, mungesa e shërbimit hekurudhor, shërbimi mjekësor, mungesa e meritokracisë nuk janë fije letre në dosjen e fashikujve të mbushur të integrimit, por masa problematike që në procesin e mbylljes së kapitujve shpresojmë të adresohen si duhet. Për fat të keq, lista e njerëzve, veç atyre që besojnë për interesat e ngushta, apo drejtorët e shumtë vendosur pa meritokraci dhe sahanlëpirësit me puro, e takëme të tjera të ngjashëm, nuk e dinë dhe më keq akoma nuk e perceptojnë dot mbijetesën e një familje të thjeshtë, luftën e profesionistëve shqiptarë që i tallin kinset, sfidën e pensioneve për vitet e mbetura të pensionistëve…, fuqinë e “të fortëve”, që ndërtojnë dhe pushtojnë gjithçka.

Anti-shteti është kudo në Shqipëri dhe këtë e ndjen në mos reflektimin e këtyre reformave që Rama shpesh inicion me të drejtë, por që pak kohë më pas fashiten. Ose si e thonë inspektorët shtetërorë ngado me metaforën e njohur: Prit sa të kalojë vala! Anti-shteti shqiptar është ajo masa e huaj që duhet minimizuar sepse me fryrjen e pandalshme është gjithnjë e më e vështirë t’i hiqet trupit të drobitur të shtetit shqiptar. Në fakt, anti-shteti ynë nuk shkon fiks me konceptin klasik. Teorikisht “Anti-shtet” do të thotë jo thjesht të jesh kundër shtetit tënd, por të veprosh kundër tij ose autoritetit të tij, shpesh duke përfshirë kundërshtimin ndaj qeverisë, politikave të saj ose vetë ekzistencës së vetë shtetit. Studiuesit i referohen një individi, një veprimi, një mesazhi ose një ideologjie që është kundërshtuese ndaj pushtetit dhe kontrollit shtetëror. E gjitha kjo është në kuptimin teorik sepse në atë praktik, shteti ynë duket sikur respektohet në sipërfaqe (Bindja Civile e opozitës nuk u bë asnjëherë e tillë) por po dëmtohet për çdo moment. Dosjet e SPAK-ut janë prova e pamohueshme…

Me atë që po shikojmë dhe po provojmë deri më tani, shteti ynë lëngon nga probleme të mëdha dhe esenciale. Turizmi, fusha që mbetet një nga kontributorët kryesorë të PBB, na e ka nxjerrë dhe na i ka demonstruar para milionë qytetarëve të huaj problematikat tona të rrënjosura në mentalitet, shërbime dhe në makutërinë e veprimeve. Do të kishte sinjale shpresuese për të bërë ndryshimin ose për ta iniciuar atë, nëse do të mundeshim të induktonim fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar. Ashtu si ndodh me vendet në zhvillim dhe që mbahet si hapi i parë i ngritjes. Kjo statistikë (krahu i ri i punës dhe jo vetëm) po e braktis vendin tonë dhe ndaj po ia kursejmë lexuesit të dhënat trishtuese. Sistemi arsimor nuk e premton dot më këtë reformë me nivelin, me investimin për kërkimet dhe sidomos, futjen e politikës në të për emërimet dhe deri tek ata që bëjnë tekstet. E megjithatë, po të dëgjosh Ramën dhe njerëzit e tij kjo është e arritshme, e kalueshme dhe Evropa është aty Ante Portas. Në kuptimin e parë, kjo shprehje konsiderohet si rrezik (romakët e përdorën për Hanibalin, kur po i afrohej Portave të tyre) dhe e dyta për diçka të beftë e të pa shmangshme. Këtë duhet ta kuptojë Rama se u ka borxh shqiptarëve, shtetin e tyre kundrejt Anti-shtetit, mbirë ngado që jo pak herë e kanë frymëzuar edhe njerëzit e pushtetit të tij. Sfida duket e madhe sepse koncepti i shtetit është i madh, por Anti-shteti vigjilon për t’iu kundërvënë në ideologji, autoritet dhe fuqi. Kuptohet se Opozita ka premtuar dhe mund ta bënte shumë mirë kundërshtinë me kuptimin e imazhit për shtetin e formës së tyre, anipse realiteti po na tregon se shpesh i gjejmë në trasenë e Ramës, udha e interesit të shumë prej tyre. “Shteti nuk është as barazimtar, as jobarazimtar në vetvete: gjithçka varet nga kush e kontrollon dhe për çfarë qëllimi”, – shkruan te “Historia e shkurtër e barazisë” Thomas Piketty. Kjo ka rëndësi për imazhin e Ramës, që gjithçka e bën për egon e tij, por jo për Anti-shtetin që do ta zhbëjë çdo gjë dhe madje ta miklojë edhe vetë Ramën me fytyrat si të Janusit. Është shtatori i vitit 2025.

(Homo Albanicus)