Mon, Sep 8, 2025

“Çlirohet” Nagelsmann, Gjermania triumfon ndaj Irlandës: Ishte fitore e rëndësishme

  • PublishedSeptember 8, 2025

“Çlirohet” Nagelsmann, Gjermania triumfon ndaj Irlandës: Ishte fitore e rëndësishme

Disfata ndaj Sllovakisë vendosi ndjeshëm në dyshim pozicionin e Nagelsmann, çdo përfundim tjetër përballë Irlandës së Veriut do të kishte pasoja të forta, por për fat të mirë “pancerat” dolën me 3 pikë nga ky takim duke u rikthyer në lojë në kualifikueset e Botërorit.

Më shumë ndryshime në raport më sfidën e parë, Gnabry gjeti menjëherë golin e avantazhit, pas vetëm 7-të minutash lojë. Irlanda tentoi në disa momente, me goditje standarde dhe nga një e tillë, në minutën e 34-të, Price i pa shqetësuar në shtyllën e dytë fluturimthi dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.

Nagelsmann ndërhyri sërish me fillimin e pjesës së dytë me 3 zëvendësime, mes tyre hodhi në fushë edhe Amirin. Ishte pikërisht mesfushori i Mainz ai i cili në minutën e 69-të ndoqi mirë aksionin dhe me portën e boshatisur e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë duke rikthyer Gjermaninë në avantazh. Për të hipotekuar suksesin e ekipit të Nagelsmann mendoi Wirtz me fantazistin e Liverpool që realizoi një super gol nga goditja e dënimit duke sigluar shifrat në 3-1.

Në përfundim të ndeshjes, Nagelsmann e pranoi se kjo ishte një fitore e rëndësishme, e merituar: “Po, ishte një fitore e rëndësishme. Morëm tre pikët në ndeshjen tonë në shtëpi. Në pjesën e parë, tifozët tanë nuk ishin aq të kënaqur me rezultatin dhe mënyrën se si po luanim, por përmirësuam në fraksionin e dytë, ishte një fitore e merituar”, u shpreh Nagelsmann. Pas dy ndeshjeve, Grupi A kryesohet nga Sllovakia, 6 pikë të plota, pasi triumfuan 0-1 në transfertë përballë Luksemburg.

()


AlbaniaWeb.net