“Ke kaluar humbje të mëdha”/ Dedikimi emocionues i Mozzik për ditëlindjen e nënës së tij
Reperi i njohur Mozzik ka emocionuar ndjekësit e tij me një dedikim prekës kushtuar nënës së tij në ditën e saj të lindjes. Në një postim në Instastory, ai falënderoi Zotin për dhuratën më të madhe që ka marrë, një nënë si ajo duke vënë në pah sakrificat dhe forcën e saj për ta rritur mes vështirësive.
Mozzik rrëfeu se çdo buzëqeshje e saj ka fshehur dhimbje, çdo fjalë ka qenë forcë për familjen, dhe pavarësisht humbjeve të mëdha në jetë, ajo ka ditur të mbajë shpirtin gjallë dhe t’u japë fëmijëve dashuri, ngrohtësi dhe siguri.
Shkrimi i plote i Mozzik:
Nënë e dashur
Urime ditëlindjen! Sot, më shumë se çdo ditë tjetër, dua të ndalem dhe të falënderoj Zotin që më ka dhënë një nënë si ti.
E di mirë se sa me vështirësi na ke rritur… Çdo hap i yti ka qenë sakrificë. Çdo buzëqeshje e jotja ka fshehur dhimbje, çdo fjalë e jotja ka qenë forcë për ne.
Ti ke kaluar humbje të mëdha, dy vëllezër të tu janë ndarë nga kjo botë, e prapë ti ke ditur ta mbash shpirtin gjallë, të na japësh dashuri dhe të na bësh të ndihemi sigurinë e një shtëpie të fortë.
Buzëqeshja jote është mrekullia që na habiti gjithmonë – si mundet një grua që ka kaluar kaq shumë dhimbje, të na japë çdo ditë ngrohtësi, dashuri dhe gëzim?
Ti je shembulli im më i madh, forca ime më e madhe, frymëzimi im i përjetshëm.
Nënë, ti je heroi im i gjallë. Ti je dashuria më e madhe dhe më e pastër që ekziston në këtë botë. Lutja ime është që Zoti të të japë shëndet, jetë të gjatë dhe paqe në shpirt, sepse e meriton më shumë se kushdo tjetër.
Të dua pa fund
Urime ditëlindjen, nënë!