Nikki Glaser: Fejesa e Taylor Swift me Travis Kelce mund të bëjë disa njerëz të kuptojnë se meritojnë më shumë
Komediania amerikane Nikki Glaser ka komentuar së fundmi fejesën e Taylor Swift dhe Travis Kelce, duke thënë se marrëdhënia e tyre mund të ndikojë në mënyrën si shumë njerëz e shohin dashurinë dhe marrëdhëniet.
Në tapetin e kuq të MTV Video Music Awards 2025 më 7 shtator, Glaser, 41 vjeç, një fanse e njohur e Taylor Swift që ka ndjekur 22 shfaqje të turneut “Eras” dhe ka shpenzuar afro 100 mijë dollarë për të qenë aty, foli për fejesën e çiftit, e cila u bë publike më 26 gusht në Instagram.
“Kur u zgjova dhe pashë telefonin plot njoftime, mendova se kishte ndodhur ndonjë tragjedi,” tha ajo. “Por ishte lajmi më i mirë që mund të merrja!”
Ajo shtoi se ishte e qartë që lidhja mes tyre ishte serioze dhe e fortë. “Ai është tipi i djalit që çdo vajzë do për mik apo partner. Është i fiksuar pas saj – dhe këtë e meriton çdo vajzë.”
Glaser paralajmëroi se kjo lidhje kaq e shëndetshme dhe entuziaste mund t’i bëjë shumë persona të reflektojnë: “Mendoj se disa do ndahen pas këtij lajmi, sepse do thonë: ‘Unë meritoj dikë që më sheh dhe më trajton kështu.’”
Sipas saj, Taylor gjithmonë ka ngritur standardet për gratë dhe tani, edhe në dashuri.