Titulli, Vllaznia dhe efekti “B-B”! Shkodranët formojnë një repart sulmues me dy futbollistë shtatlartë
Ardhja e Çarls Bismark në orët e fundit të merkatos te Vllaznia ka kompletuar kuqeblutë për edicionin 2025-26.
Kështu Martini dhe stafi i tij më në fund morën sulmuesin për të cilin kishin këmbëngulur gjatë gjithë verës. Me ganezin që u rikthye në Shkodër pas aventurës europiane në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Ku la një shije shumë të mirë në dy ndeshjet ku u aktivizua ndaj Vikingur në turin e dytë të “Conference League”.
Për këtë arsye 24-vjeçari ishte objektivi parësor për ofensivën shkodrane dhe në fund u realizua. Forma e treguar nga shtatlarti në seancat e para stërvitore pas rikthimit në kryeqendrën e veriut ka qenë me të vërtetë e kënaqshme. Me ish-sulmuesin e CSKA Sofia që ka treguar ritëm dhe formë të mirë sportive, madje duke arritur të bëjë diferencën edhe mes shokëve të skuadrës në seancat e zhvilluara. Momentalisht sulmuesi duket se do jetë partneri i Balajt dhe një favorit i madh për një vend titullari në rikthimin e kampionatit. Kështu në stërvitje është parë shpesh që dyshja e preferuar në sulm është ajo Balaj-Bismark.
Me Vllazninë që momentalisht do jetë nën efektin e “B-B”, dyshes së sulmit që luajti së bashku edhe gjatë verës. Në këtë mënyrë shkodranët formojnë një repart sulmues me dy futbollistë shtatlartë dhe shumë imponues fizikisht ndaj kundërshtarit. Dy sulmues që jo vetëm dinë të shënojnë, por edhe të “përplasen” me kundërshtarët, duke iu shkaktuar “dhembje koke” ekipeve dhe mbrojtjeve rivale. Patjetër edhe ardhja në formën optimale e Lirim Kastratit kompleton akoma më shumë repartin sulmues te Vllaznia. Që nga emrat që ka aktualisht në organikë, ka sulmin më të frikshëm në mbarë kampionatin.