Foto/ Rita Ora provokon me poza si Virgjëresha Mari
Rita Ora ka tërhequr vëmendjen me një set fotografik të realizuar në Los Angeles, ku u shfaq në poza kontroverse, duke u paraqitur si Virgjëresha Mari. Këngëtarja 34-vjeçare u shfaq e veshur me një fustan të bardhë engjëllor dhe një pelerinë që i mbulonte kokën. Në duar mbante rruaza të bardha dhe pozoi në disa forma simbolike, mes tyre edhe me duart e bashkuara sikur ishte në lutje.
Fotosesioni, i cili rikrijoi një skenë të krishterë, u realizua nga fotografi i famshëm David LaChapelle, i njohur për bashkëpunimet me yje si Britney Spears, David Bowie, Michael Jackson dhe Tupac.
Por ndërsa fotot bënë bujë në media, në jetën private Rita Ora po përballet me kritika të ashpra nga fqinjët e saj në Primrose Hill, ku zotëron një rezidencë prej 7.5 milionë funtesh. Planet e saj për të ndërtuar një palestër në kopshtin e shtëpisë, duke hequr elementë arkitektonikë 150-vjeçarë, kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe.
Banorët e zonës e kanë cilësuar projektin si një shëmtim vizual dhe e kanë akuzuar këngëtaren për hipokrizi, duke argumentuar se ndërhyrja kërcënon një habitat natyror të ndjeshëm.
Kjo nuk është hera e parë që Rita përplaset me fqinjët e saj – më herët, këngëtarja e “Hot Right Now” është akuzuar për festa dhe zhurma të shumta edhe në dy rezidenca të tjera në Londër.