Paditësi i Tyler Perry flet hapur për herë të parë që nga padia
Derek Dixon, aktori që ka ngritur një padi kundër producentit dhe regjisorit të njohur Tyler Perry për 260 milionë dollarë, ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë në një intervistë për ABC News. Ai e akuzon Perry-n për dhunë seksuale, ngacmim dhe hakmarrje, ndërsa shpreson që kjo çështje të sjellë drejtësi për të dhe për të tjerët që mund të kenë përjetuar situata të ngjashme.
“Pjesa tjetër e kësaj është një pengesë: si mund ta ndalosh një miliarder që nuk e ndal veten?” tha Dixon. Ai pretendon se Perry ka krijuar një “mjedis shfrytëzues dhe jo profesional” gjatë xhirimeve të serialeve The Oval dhe Ruthless, ku vetë Dixon mori pjesë në role të vogla.
Sipas padisë, ngjarjet kanë filluar në vitin 2019 dhe përfshijnë një sërë incidentesh që ai i përshkruan si sulme seksuale dhe presion psikologjik për të ruajtur heshtjen. Dixon pretendon gjithashtu se si pasojë e përjetimeve të tij është diagnostikuar me stres akut, pagjumësi dhe probleme shëndetësore serioze.
Nga ana tjetër, avokati i Perry-t, Matthew Boyd, i ka mohuar me forcë akuzat dhe e ka quajtur këtë një “skenar mashtrimi të qëllimshëm”. Ai theksoi se Tyler Perry nuk do të tërhiqet dhe është i bindur se pretendimet janë të sajuara.
Dixon thotë se drejtësia për të do të jetë kur raste të tilla të mos ndodhin më, as në industrinë e filmit, as diku tjetër.