Wed, Sep 10, 2025

“Të pamëshirshëm”, Norvegjia e ekzagjeron ndaj Moldavisë, Haaland realizon “manita”

  • PublishedSeptember 10, 2025

“Të pamëshirshëm”, Norvegjia e ekzagjeron ndaj Moldavisë, Haaland realizon “manita”

Norvegjia kompleton një sukses të jashtëzakonshëm, teksa mund me rezultatin e thellë 11-1 Moldavinë, falë një super Erling Haaland. Sulmuesi i Manchester Cityt ishte i papërmbajtshëm, në sfidën e së martës në mbrëmje në Oslo, teksa ishte autor i plotë 5 golave. Pjesa e parë ishte një sfidë në sens unik, me norvegjezët që arritën të shënonin 5 gola, me bjondin shtatëlartë që arriti të shënonte një tripletë.

Mbrojtja moldave ishte inekzistente në fushë, teksa lejuan vendasit të shënonin edhe plotë 6 herë të tjera, ndërkohë që Haaland kompleton manitën e tij personale të mbrëmjes. 11-1, një sukses që e konfirmon Norvegjinë në vendin e parë në grupin I në kuotën e 15 pikëve, me një golavarazh të jashtëzakonshëm prej 24 golash të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Falë këtyre 5 golave të realizuar Erling Haaland prek kuotën e frikshme të realizimeve me ekipin kombëtar, 48 gola në 45 ndeshje me përfaqësuesen nordike.

“Aspak keq”, shkruan Haaland në profilin e tij në Instagram, teksa poston një foto me topin e ndeshjes. Fitorja 11-1 e Norvegjisë ndaj Moldavisë hyn në histori, duke regjistruar rekorde të rëndësishme. Kjo është fitorja më e thellë e historisë së përfaqësuese norvegjeze, më e thella në këto eleminatore duke kaluar suksesin 8-0 të Holandës ndaj Maltës, ndërsa u afrua ndjeshëm rekordit absolut të Gjermanisë Perëndimore e cila më 1969 mposhti Qipron me shifrat 12-0.


AlbaniaWeb.net