Serie A/ Derbi i Italisë vihet në skenë këtë fundjavë, përballja klasike Juve-Inter me gjuhën e statistikave
Këtë të shtunë rikthehet një nga përballjet më të zjarrta të futbollit italian, “Derbi i Italisë” mes Juventusit dhe Interit. Ndeshja, që do të luhet në Allianz Stadium në Torino në orën 18:00, nuk është vetëm një përballje e rëndësishme për historinë e rivalitetit, por edhe një test kyç për pozicionet në renditjen e Serie A. Dhe sigurisht në prag të një sfidë të tillë, është koha për të prekur edhe statistikat në përballjet direkte.
Statistikat klasike tregojnë epërsinë e Juventusit. Nga 184 përballjet e zhvilluara në Serie A, bardhezinjtë kanë regjistruar 88 fitore, ndërsa Interi vetëm 49. 47 ndeshje kanë përfunduar me barazim. Golat total të Juventusit në këto ndeshje janë 264, ndërsa të Interit 213, një diferencë që tregon dominimin historik të kampionëve torinezë. Në ndeshjet që janë luajtur në shtëpinë e Juventusit, fitoret e bardhezinjve arrijnë në 63, ndërsa Interi ka shënuar vetëm 12 herë. Barazimet janë 17. Golat e shënuar nga Juve në Torino janë 160, ndërsa Interi ka shënuar vetëm 70 herë.
Tabu historike dhe prirjet e fundit tregojnë se Interi ka vështirësi në përballjet e fundit. Nga gjashtë ndeshjet e fundit kundër Juventusit në Serie A, Interi ka fituar vetëm një herë, me dy barazime dhe tre humbje. Fitorja e fundit erdhi më 4 shkurt 2024, përmes një autogoli të Federiko Gati. Tre nga katër përballjet e fundit në fazën e parë të kampionatit kanë përfunduar me barazim, një shenjë që tregon tendencën për rezultate të ngushta në fillim sezoni.
Ndërkohë, Juventus ka mbajtur portën e paprekur në 11 nga 12 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi ndaj Interit. Fitorja e fundit e Interit në Torino daton më 3 prill 2022, kur fitoi 1-0 përmes një penalltie të realizuar nga Çalhanoglu.. Kjo përballje historike vazhdon të ofrojë kuriozitete, statistika të jashtëzakonshme dhe tablo të pabesueshme që pasqyrojnë rivalitetin e pafund midis dy gjigantëve të futbollit italian.