Ish e dashura e Brooklyn Beckham flet për herë të parë: Lidhja jonë zgjati më shumë se u mendua
Modelja kanadeze Lexi Wood, e njohur për paraqitjen e saj në reality show Summer House, ka treguar detaje të reja mbi romancën e saj me Brooklyn Beckham. Në një intervistë për Daily Mail, 27-vjeçarja tha se lidhja e tyre ishte më serioze dhe më e gjatë nga sa u perceptua publikisht.
Lexi dhe Brooklyn nisën të shiheshin bashkë në vitin 2018, menjëherë pas ndarjes së tij nga aktorja Chloë Grace Moretz. Çifti u fotografua duke u puthur në një studio tatuazhesh në Los Anxhelos, por sipas modeles, marrëdhënia kishte nisur më herët dhe zgjati për më shumë se një vit. “Ne ishim shumë të rinj dhe donim privatësi. Mendoj se zgjati më gjatë nga sa mendonin njerëzit,” tha Lexi.
Duke folur për ish-partnerin, ajo nuk i kurseu fjalët e mira: “Brooklyn është një person i mrekullueshëm. Jam e lumtur që ka gjetur dashurinë e tij me Nicolan. I uroj të dyve vetëm më të mirat.” Lexi shtoi se ka njohur edhe pjesë të familjes Peltz dhe i përshkroi si njerëz të jashtëzakonshëm.
Brooklyn, tani 26 vjeç, u martua me aktoren Nicola Peltz në prill 2022, në një ceremoni madhështore në Palm Beach. Megjithatë, raportimet për tensione mes çiftit dhe familjes Beckham kanë bërë bujë së fundmi, pasi prindërit dhe vëllezërit e tij munguan në dasmën e dytë të çiftit muajin e kaluar.
“Unë mund të flas vetëm nga përvoja ime, dhe ajo ishte e mrekullueshme. Romeo dhe Cruz janë ndër njerëzit më të mirë që kam takuar,” tha Lexi, duke lënë të kuptohet se kujtimet e saj me familjen Beckham mbeten pozitive.