Sat, Sep 13, 2025

Shqipëria e dorëzuar…

  • PublishedSeptember 13, 2025

Shqipëria e dorëzuar…

NGA PROF. DR. ROMEO GURAKUQI  romeo gurakuqi

I kam shkruar këto radhë në ditët kur shteti ishte i ndalur, duke mbajtur frymën në pritje të “11 shtatorit shqiptar”, kur drejtësia ishte në gjumë dhe argëtohej larg syve të shoqërisë së përzhitur në vapën e asfalteve, në bashkëshoqërim pajtues me oligarkinë, ndërkohë që krimi dhe padrejtësia e strukturuar vazhdonin në përditshmërinë e tyre, me nxitimin marramendës të përmbylljes së veprave të padenja. Dje pritja mbaroi, por, siç e dimë, në vend asgjë s’ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë, përderisa shoqëria shqiptare e vitit 2025 nuk do të lexohet dhe kuptohet nga kupola politike e vendimmarrëse dhe për drejtimin e këtij vendi të mos mendohet strategjikisht, nisur nga interesat publike, kombëtare dhe kompaktësia e një populli thellësisht të përçarë nga lartësitë.

Vallë, a ekziston aq distancë mes shoqërisë dhe kupolës sa të mos kuptohet se vendi është në depresion moral, ekonomik ne çdo pore të vet dhe në një zbrazje dramatike? Se hendeku midis një grushti njerëzish dhe masës së popullsisë është katastrofal? Se investimet e mirëfillta prodhuese të investitorëve mungojnë tërësisht jashtë perimetrit Tiranë–Durrës, për shkak të pamundësisë së përballimit të sistemit okult të kontrollit ilegal të territorit? Se investimet infrastrukturore janë të shpërndara në mënyrë krejtësisht disproporcionale në territor dhe koincidojnë, fatkeqësisht, me asimetrinë e prejardhjeve të burimeve njerëzore në qeveri, administratë, diplomaci, akademi dhe në shpërndarjen e pasurisë individuale të shtetasve. Se padrejtësia dhe pamjaftueshmëria e garancive juridike kanë shpërthyer nëpër të gjitha gjirizet fundore të institucioneve për çdo njeri të thjeshtë në këtë vend? Se sistemi që duhej të garantonte drejtësinë është shndërruar plotësisht në një siluetë formale e telekomanduar në tunelin, ku shkëmbehen dhe përcillen urdhrat e të Mëdhenjve të Dukshëm dhe të Padukshëm, ndërsa institucionet që duhej të ishin shtylla të pavarësisë e të paanësisë janë, në shumë raste, ose të heshtura, ose të kapura, duke pritur urdhrin e Nëntokës për çdo rast që u paraqitet?! Se liria intelektuale për të mbajtur qëndrime publike të pavarura nga oligarkia, nga kupolat politike dhe të fortët është vendosur në autocensurë, në dilema për shkak të hakmarrjeve të kamuflueme.

Më shqetësuese është e ashtuquajtura pavarësi institucionale, e cila po keqpërdoret për të ndërtuar struktura të mbyllura, të pandëshkueshme, ku sundon një kult individi që ka marrë në qesim sektorin përkatës për administrim, duke u sjellë si i pakontrollueshëm dhe i papërgjegjshëm para ligjit, moralit dhe shoqërisë. Brenda këtij rrethi të errët lulëzon arroganca, dhuna, përjashtimi i të “parëndësishmëve” të papërkrahur dhe metodat diskriminuese, që s’kanë më asnjë lidhje me një rend meritokratik dhe të europianizuar. Pra, jemi në rastin e një vendi ku vërtet nuk ka më ndalime, por ka ndarje, përjashtime, ku ekziston ajo kundërvënia e famshme mes arsyes dhe marrëzisë, e kthyer në metodë veprimtarie të çdo qelize institucionale. Në një vend që synon integrimin dhe pret të gjykohet nga bota e qytetëruar për progresin e tij, një realitet i tillë është jo vetëm i papranueshëm, por rrezikon vetë themelet e shtetit ligjor. Vetë shoqëria shqiptare e dijes dhe e qytetarisë ka nevojë për vërtetësi të bazuar në mbështetje institucionale. Ndërkohë, ajo që ndodh rëndom para syve të kësaj pjese që mendon dhe kupton, është formalizimi i të pavërtetave, i rrenave, i padrejtësisë dhe i përjashtimeve.

Pyetja që ngrihet vetvetiu është: a mund të vazhdohet më kështu, duke gënjyer veten në kupolë?! Pushteti nuk është marrë për të kryer disa punë për individë, grupe individësh dhe rrethe, aq më pak për të kënaqur epshet e disa të përjetshmëve që kanë nxjerrë kokën e tyre të pështirë në kohën e fundit të diktaturës dhe që u rikthyen në skenë me mbërritjen e “Restaurimit”, por për të kryer shërbime me impakt publik gjithëpërfshirës. Unë mendoj se dikush – një individ, një udhëheqës, një programues dalzotës ose një i ngarkuar nga ligji – duhet ta kuptojë këtë që ndodh në përditshmëri, të shqetësohet, të marrë nismë të diktuar nga detyra dhe të veprojë, jo mbi bazën e aksionit personal të nxitur spontanisht, por mbi parimin e korrektimit sistemik, në dobi të një shoqërie të drejtë dhe të ndershme. Heshtja më tej do të thotë bashkëpjesëmarrje, ndërkohë që veprimi, riprogramimi, rinisja e mbarë dhe e mirëmenduar e procesorëve të ordinatorit shtetëror është urdhër i kohës; është, mbase, ajo çfarë presin qytetarët e këtij vendi, në vigjilje të mandatit të katërt. Punët kanë sjellë që, për të katërtën herë me radhë, ju, zoti Kryeministër, të ndodheni në krye të ekzekutivit vendimmarrës dhe, dashur pa dashur, me hir a me pahir, ju takon të riprogramoni sistemin siç nuk e keni bërë ndonjëherë për 12 vite me radhë, por kurrë me tezat dhe sentencat emocionale të dashurisë për përjetësinë njëpartiake, njëkrahinore dhe të pak familjeve që i janë bërë barrë Shqipërisë në këto 85 vitet e fundit.

Kjo do të thotë se, para së gjithash, duhej dhe duhet një analizë krejt tjetër e sistemit në tërësi dhe e nën-sistemeve përbërëse: e sistemit qeverisës, mbasi ky i sotmi ka prodhuar, përveç korrupsionit, padrejtësisë, nepotizmit dhe krahinarizmit asimetrik fshataresk, përqendrim arbitrar pushtetesh dhe mungesë kontrolli e balancash – dhe këto sëmundje nuk zgjidhen me uljen e numrit të deputetëve në 101, por me një mendim të thellë konstitucionalistësh që kuptojnë; e formës së shtetit, që do të thotë një reformë territoriale që respekton tradicionin para-komunist, ligjet mbi autonomitë vendore në përputhje me kartat ndërkombëtare dhe të drejtat e komuniteteve për përfaqësim proporcional; e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nuk mund të jetë për vendin tonë kurrë një Zyrë Emigracioni, por një qendër inteligjente e rendit publik, e sigurisë së qytetarëve dhe investitorëve; e ligjit zgjedhor, që duhet të ndryshojë konfigurimin e ngrirë aktual që ka shkatërruar përputhshmërinë e Atdheut Real me Atdheun Legal, në Parlamentin që mblidhet sot në Tiranë; një ligj të ri për universitetet publike, që t’i mundësojë këtij vendi rindërtimin e së paku një shkolle të lartë publike, të mirëfilltë dhe falas, të pranueshme në standardet bashkëkohore, për të rinjtë.

Edhe pse Kryeministri është vetëm shefi i pushtetit ekzekutiv, që nuk mund të cenojë apo prekë institucionet e pavarura, pushtetin e tretë dhe të katërt, vendi duhet të udhëhiqet në çdo kapilar të tij nga arsyeja e shëndoshë, ligji dhe tempi i kohës, prej një qeverie të të gjitha talenteve – që nuk i është shfaqur kurrë publikut deri më tani – dhe prej një udhëheqësie politike të ndriçuar nga dija e kompetenca, të titulluar nga Kushtetuta për të kryer reforma. Një qeverie që nuk hesht përballë deformimeve të thella që kanë pësuar institucionet e pavarura, por ndërhyn me mendim, jo spontanisht, për korrektim, duke larguar nga përgjegjësia çdo abuzues me ligjin, me të drejtat dhe me drejtimin e marrë/të dhuruar/të blerë/të shkëmbyer/ose të katapultuar dhe duke e vënë në dispozicion të drejtësisë. Thënë shkurt, ky muaj është shumë i rëndësishëm si asnjë tjetër; duhet të jetë një muaj reflektimi dhe përafrimi me njerëzit e klasës së mesme, teknicienët, universitetet dhe dijen; një muaj në të cilin duhet të skicohen e të shkruhen, tashmë pa gabime, pa diletantizëm dhe pa spontanitet ëndërrues, disa “blueprints” për t’u zbatuar në kohën që vjen – një kohë vendimtare për Shqipërinë.

Shkohet drejt një 16-vjeçari gjatë të cilit kanë lindur dhe janë bërë dy metra ca vajza dhe djem të këtij vendi, që nuk duhet t’i ikin më atdheut, ndërsa disa të tjerë duhet të kthehen në një atdhe të paqtë, të drejtë, të ndershëm, përbashkues dhe pritës të bijve dhe bijave. Mbase nga lart, në majat e pushtetit, gjërat nuk duken aq qartë, por nga poshtë, nën rëndesën e përditshme të absurditeteve, deformimeve, padrejtësive, hajdutërive dhe vrapit marramendës të maskarenjve që u kthyen në tavë me të gjithë paturpësinë, këto kohë restaurimesh të familjeve që e dhunuan për 46 vite Shqipërinë, atdheu ngjan të jetë një tokë e pasigurt, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Dhe një vend që ka një të ardhme të paparashikueshme për individë të lirë është një vend i pasigurt, që frikëson me opsione destabiliteti, frike dhe padrejtësish ulëritëse. Sot nuk është dita për të shpjeguar të gjithë këtë përjetim të klasës së mesme të atdheut. Dua vetëm të them se, nëse në disa institucione këto riprogramime mundësojnë vetëm mbështetje për rritjen e efikasitetit, përshpejtimin e procedurave, mbështetjen financiare dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e kuadrove në shërbim të shtetit – siç është rasti i Prokurorisë dhe i Drejtësisë – në disa të tjera, siç janë dikasteret e rëndësishme me impakt mbi publikun, universitetet dhe akademia, kërkohet ndërhyrje e plotë, shkundëse, riprogramuese, rindërtuese, që në asnjë rast nuk mund të kryhet duke ristartuar shkaktarët, ose duke ua dhënë mundësinë rishkruese të ligjeve të njëjtëve për të bërë lëmshin e radhës.

Jetojmë në një kohë kur kupa e shëmtuar është mbushur, kur padrejtësia, kapja institucionale dhe sundimi i kastave të paditura e të palexuara kanë zëvendësuar meritokracinë në çdo pore të shoqërisë, duke e zhytur shoqërinë shqiptare në pasiguri dhe mosbesim. Sot është koha për një riprogramim të vërtetë të shtetit, me reforma rrënjësore. Vetëm një qeveri e udhëhequr nga arsyeja, ligji dhe kompetenca, që mbështetet te dija dhe integriteti mund të reformojë sistemin politik e institucional, pushtetin vendor, Policinë e Shtetit, të hapë rrugën e investimeve të vërteta jo propagandistike dhe klienteliste strategjike, të rindërtojë universitetin publik, të certifikojë me gjithë mend universitetet private, të reformojë institucionet shkencore. Shqipëria jonë, populli ynë, e meriton t’i ndërpritet hemorragjia e pandalshme. Ky është urdhër i kohës dhe përgjegjësia e një ekzekutivi largpamës e programues: çmontimi i kastave të përjetshme dhe hapja e rrugës për një Shqipëri të drejtë, të ndershme dhe konkurruese në Europë – nga garancia e të drejtave deri te fushat e dijes.

/Gazeta Panorama