Sat, Sep 13, 2025

Tifozët e Vllaznisë premtojnë spektakël, “Loro Boriçi” pritet i mbushur ndaj Partizanit

  • PublishedSeptember 13, 2025

Tifozët e Vllaznisë premtojnë spektakël, “Loro Boriçi” pritet i mbushur ndaj Partizanit

Një “armë” më shumë për Vllazninë në ndeshjen e rradhës kundër Partizanit pritet të jenë tifozët. Mbështetësit shkodranë që në vite kanë qenë të shumtë jo vetëm në tribunat e “Loro Boriçit”, por edhe jashtë Shkodrës, edhe kësaj rradhe duket se do të jenë pranë ekipit.

Kjo në një ndeshje që gjithmonë ka prodhuar përballje interesante, me të kuqtë që patjetër janë ndër rivalët historikë të Vllaznisë. E përballje të tilla patjetër kërkojnë të shijohen nga publiku shkodran, që njihet për “dashurinë” e tyre për futbollin e bukur. Po ashtu kurioziteti për të parë skuadrën dhe futbollistët e afruar gjatë merkatos në “top” formë është i madh. Me emra si: Kastrati, Kallaku apo Bismark së fundmi që ngjallin shumë kureshtje në rradhët e tifozerisë kuqeblu.

Që edhe në miqësoren e fundit të zhvilluar ndaj Deçiqit e përfunduar në shifrat 3-0 për Vllazninë, thuajse kishin mbushur tribunën kryesore të stadiumit. Prandaj edhe të shtunën, ku edhe orari është shumë i përshtatshëm, pritet të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit.

Për të “nxitur” tifozët ka menduar edhe vetë klubi Vllaznia, duke vendosur çmime të ulëta për biletat. Ku në tribunën VIP çmimi për ta ndjekur takimin nga shkallët e stadiumit është 1500 lekë, në tribunat A dhe B çmimi është 1000 lekë e ndërsa në atë D çmimi është 400 lekë, teksa pas portës në tribunën C mund ta ndjekësh ndeshjen vetëm duke paguar 200 lekë. Pra, çmime thuajse “simbolike” për tifozët shkodranë, në mënyrë që ata të mos ndihen aspak të privuar për ta ndjekur ekipin e tyre të zemrës nga pranë në stadiumin “Loro Boriçi”.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net