Sun, Sep 14, 2025

Arrestohen 6 persona për skemë piramidale online me kriptomonedha

  • PublishedSeptember 14, 2025
Arrestohen 6 persona për skemë piramidale online me kriptomonedha

Policia e Shtetit njoftoi të dielën, më 14 shtator, ndalimin e gjashtë personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një skemë mashtrimi piramidal online, duke u marrë qytetarëve shuma të konsiderueshme parash me premtimin për investim. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbuluar organizatorët e këtyre skemave piramidale.

Sipas policisë, hetimi ka nisur nga ankesat e qytetarëve për mashtrime online, ku u premtohej përfitim financiar në këmbim të investimeve të tyre. Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për skema piramidale, dhe policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos kryejnë më asnjë veprim në platforma të tilla mashtruese.

Operacioni, i drejtuar nga Prokuroria e Fierit, është shtrirë në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, ku janë ushtruar gjithsej 83 kontrolle ndaj personave dhe banesave.

Në njoftim thuhet se është dokumentuar aktiviteti i një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi, përmes të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, pjesë e nivelit të parë të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty, qytetarët e mashtruar udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON, me premtimin se fitimet e tyre do të shumëfishoheshin.

Sipas hetuesve, përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ka qenë rastësor, por i menduar për shkak të vështirësisë së gjurmimit, si dhe perceptimit të gabuar që shumë qytetarë kanë për to si mjete moderne dhe të sigurta investimi.

“Skema funksiononte sipas modelit klasik piramidal: qytetarët që investonin udhëzoheshin të sillnin të paktën pesë persona të tjerë në sistem, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona sillje dhe sa më e madhe të ishte shuma e investuar, aq më të larta të ardhurat e premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për përvetësim fondesh përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet e larta përfitonin, ndërsa shumica, sidomos pjesa fundore e piramidës, humbnin kursimet e tyre,” sqaroi policia.

Në pranga kanë rënë Arbër Çela, 38 vjeç; Emanuel Taullau, 21 vjeç; dhe Flavio Mukaj, 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë; Marius Kodra, 28 vjeç, banues në Tiranë; si dhe Brunilda Todi, 38 vjeçe, dhe Brunilda Ndini, 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë. Ata dyshohen për veprat penale “Skema mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim kompjuterik”. Për të njëjtat vepra janë shpallur në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç, dhe A. Sh., 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hard diskë, 1 automjet, 4.2 milionë lekë, 28 mijë euro, 1,750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, janë ngrirë gjashtë llogari kriptomonedhash, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Policia theksoi se organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt i hetimit dhe se po punohet për të zbardhur tërësisht strukturën e rrjetit mashtrues, me qëllim vënien përpara drejtësisë të gjithë personave përgjegjës.

Në përfundim, policia u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm për të mos rënë pre e mashtrimeve të tilla.