Dasma përrallore e djalit të Jozefina Topallit, “shpërthen” ish e dashura Eva Murati: Me lekë të vjedhura nga fondet publike
Dasma e prezantueses Cindy Marina me Genar Topallin, djalin e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, ka qenë ndër më të komentuarat e ditëve të fundit. Ceremonia madhështore e zhvilluar në Romë u shoqërua me një atmosferë përrallore dhe tërhiqte vëmendjen e publikut jo vetëm për shkak të luksit, por edhe për shkak të emrave të njohur që ishin të ftuar. Pamjet nga festa qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të shumta.
Mes atyre që nuk i shpëtuan reagimeve të ndjekësve ishte edhe moderatorja sportive Eva Murati, e cila dikur ka qenë në një marrëdhënie me Genar Topallin. Një video e saj në TikTok u bë menjëherë virale, duke u komentuar gjerësisht.
Përmes komenteve, disa ndjekës aluduan se Murati mund të ishte xheloze, ndërsa të tjerë e komplimentuan. Njëri prej komenteve i shkruar në anglisht sugjeronte se edhe vetë moderatorja do të kishte dashur një dasmë të tillë përrallore.
Eva Murati nuk e la pa përgjigje këtë koment, duke reaguar ashpër:
“Nuk dua që miliona shqiptarë të më dëshirojnë vdekjen sepse po mburrem me para që mund të jenë të vjedhura nga fondet publike. E di që më ndjek çdo ditë, por ta bësh këtë një ditë pas dasmës tënde është më shumë se patetike.”
Ky reagim i saj ndezi diskutime të tjera në rrjet, duke rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien e dikurshme me Genar Topallin.