Mon, Sep 15, 2025

Dekreti i “Diellës” duhet ankimuar në Gjykatën Kushtetuese

  • PublishedSeptember 15, 2025

Dekreti i “Diellës” duhet ankimuar në Gjykatën Kushtetuese

GENC POLLO

Presidenti Begaj, me propozimin e kryetarit  të PS, Edi Rama, emëron përveç kryeministrit, edhe ministrin Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”, nën përgjegjësinë e kryeministrit për krijimin dhe funksionimin e saj. Kështu i shtohet një dëm kushtetues fyerjes së inteligjencës, që është deklarimi se “Diella” është ministre.

Ndërsa për shumicën e mediave, të cilat e kanë ngrënë karremin dhe e kanë bërë titull sensacional, kjo mund të duket gazmore, në fakt këtu nuk kemi thjesht një rast qesharak, po edhe një precedent serioz ligjor, një shkelje të Kushtetutës. Kjo vlen për njerëzit që e kanë për zemër shtetin ligjor dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore, sado të paktë apo të shumtë që mund të jenë këta njerëz.

Ky nuk është një diskutim i lirshëm dhe metaforik për një ministër prej Inteligjencës Artificiale apo edhe për një Kryeministër/President të tillë, gjë që është humoristike, interesante dhe kaq. Ky ministër virtual, jonjerëzor, jopersonal shfaqet në një dokument kushtetues, siç është dekreti presidencial që emëron kryeministrin. Ky dekret duhet të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese! Nëse dekreti kalon pa kundërshtim, kjo do të inkurajonte në të ardhmen të tjera shkelje kushtetuese, bizare apo jo./Gazeta Panorama