Tue, Sep 16, 2025

Kostume deri në 1000 euro te Altin Mici: RTSH mes akuzave për abuzime luksi dhe krizës financiare, moderatorët pa paga

  • PublishedSeptember 16, 2025

Kostume deri në 1000 euro te Altin Mici: RTSH mes akuzave për abuzime luksi dhe krizës financiare, moderatorët pa paga

Radiotelevizioni Shqiptar vijon të përballet me një stuhi akuzash dhe kritika të shumta publike. Pas denoncimit publik të gazetares Kozeta Kurti për projekte të papaguara prej muajsh dhe konfirmimit nga moderatori Florian Agalliu se edhe ekipi i tij është në pritje të shpërblimeve, në dritë kanë dalë edhe dokumente që tregojnë se si është abuzuar me fondet e RTSH-s edhe me kostumet e kërkuara për drejtuesit e emisioneve.

Sipas Albanian Post, fondet e RTSH-së janë përdorur për kostume që arrijnë deri në 1 mijë euro, këmisha prej 250 eurosh dhe shami xhaketash deri në 50 euro copa. Porositë, të kryera pranë stilistit Altin Mici, shfaqen në tabela të brendshme, por pa një kontratë të mirëfilltë që të justifikojë faturimet.

Ky kontrast mes luksit dhe vonesave të pagave ka shkaktuar indinjatë të gjerë, duke rritur presionin mbi drejtuesit aktualë të RTSH-së. Në mes të kësaj situate, drejtoresha Eni Vasili ka reaguar duke falënderuar gazetarët dhe moderatorët për mirëkuptimin, por edhe duke theksuar se menaxhmenti i ri është përballur me “një situatë katastrofike borxhesh dhe detyrimesh” të trashëguara nga e kaluara.

“Sigurisht, nuk është përgjegjësia e tyre që iu premtuan projekte që nuk mund të paguheshin, por kjo nuk e bën menaxhmentin e ri fajtor”, tha Vasili pak ditë më parë.

Ky është një tjetër shembull i abuzimeve që kanë ndodhur në RTSH, të cilat e kanë çuar institucionin kryesor mediatik në një situatë kritike, për shkak të pakujdesisë në menaxhimin e fondeve, deri edhe për garderoba me çmime jashtë normales.