Vangjush Dako e vuajti pjesën më të madhe të dënimit në shtëpi, i mbeten dhe 11 ditë burg

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të martën, më 16 shtator, lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet. Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dakos do t’i duhet të shlyejë edhe rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.
Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën.
Sipas prokurorisë, nga përllogaritja e kryer ka rezultuar se Dako duhet të qëndrojë në qeli edhe 11 ditë, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë 9 muajve që qëndroi në paraburgim dhe periudhës tjetër në “arrest shtëpie”. Koha e paraburgimit përllogaritet si një ditë e gjysmë heqje lirie.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i bënë me dije BIRN pasditen e të martës se ende nuk kishte mbërritur ndonjë kërkesë zyrtare nga prokuroria lidhur me Dakon.
Apeli ka vendosur të lërë në fuqi edhe masat e dënimit ndaj dy prej tre të bashkëpandehurve të tjerë, Ardian Bulku dhe Fiqiri Farruku, të cilët kishin ushtruar ankim ndaj dënimit për falsifikim me 2 vjet, masë që u pezullua me kusht nga shkalla e parë. Me 2 vjet burg u dënua edhe i gjykuari tjetër, Fatmir Ejupi, ndërsa u pezullua ekzekutimi i masës së dënimit dhe u vendos në shërbim prove për 4 vjet, ashtu si Bulku dhe Farruku.
Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle” sh.p.k., pasi ai dhe vartësit e tij përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët ishin shpërngulur në pallatin në fjalë. Hetimi arriti në përfundimin se ishte bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh të ndërtuar pa leje, ndërkohë që ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.
Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon lidhet me një procedurë prokurimi për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim-zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, duke e përcaktuar me një vlerë gati dhjetë herë më të lartë se ajo që duhej të ishte në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.
Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit në korrik 2019 me motivacionin e “korrupsionit madhor”. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët, përveç narkotrafikut, dyshohet se kanë ndikuar edhe në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.