Robert Redford: Pas shkëlqimit të Hollivudit, një jetë e mbushur me dhimbje, humbja e nënës dhe vdekja e dy djemve
Robert Redford, një nga ikonat më të mëdha të Hollivudit, la pas jo vetëm një karrierë brilante në aktrim dhe regji, por edhe një histori personale të mbushur me sfida dhe dhimbje të thella. Ai u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare në shtëpinë e tij në Utah, duke lënë një trashëgimi të paharrueshme në botën e kinemasë.
I lindur në Kaliforninë Jugore në vitin 1936, Redford u përball që në fëmijëri me poliomielitin, të cilin e mori pasi ishte larë në oqean, në kohën kur vaksina kundër tij nuk ekzistonte ende. Rinia e tij nuk ishte pa tronditje, në shkollë të mesme iu bashkua një bande dhe u arrestua një herë për shkak të një makine me bizhuteri të vjedhura. Më pas ndoqi kolegjin në Universitetin e Kolorados me bursë bejsbolli, por e humbi shkurtimisht këtë mundësi për shkak të problemeve me alkoolin dhe festave.
Një goditje e madhe në jetën e tij erdhi në vitin 1955, kur në moshën 18-vjeçare humbi nënën, Martha Hart, e cila ndërroi jetë pas lindjes së binjakëve që fatkeqësisht nuk mbijetuan. Kjo humbje e thelloi dhe ndikoi fort në jetën dhe karrierën e Redford.
Në familjen e tij, dhimbjet nuk pushuan. Djali i tij i parë, Scott, vdiq në moshën vetëm 10 javëshe nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS). Djali tjetër, Jamie, luftoi gjatë me probleme shëndetësore dhe ndërroi jetë nga kanceri në vitin 2020. Vajza e tij Shauna kaloi një aksident serioz dhe humbi partnerin në mënyrë tragjike.
Edhe pse këto dhimbje ishin të mëdha, Redford i përballoi me forcë dhe i mbajti shpesh private, duke lënë që arti dhe puna t’i flasin për të.
Në karrierën e tij, Redford u bë i njohur për role në filma klasikë si “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, “The Sting” dhe “All the President’s Men”. Ai la gjurmë edhe si regjisor dhe themelues i Festivalit të Filmit Sundance, që sot është një nga ngjarjet më të rëndësishme në botën e kinemasë.
Robert Redford do të mbahet mend jo vetëm për talentin e tij, por edhe për qëndrueshmërinë dhe humanizmin që shfaqte, pavarësisht sfidave të jetës së tij personale.