Thu, Sep 18, 2025

Pas humbjes së Charlie Kirk, bashkëshortja e tij udhëheq Turning Point USA

  • PublishedSeptember 18, 2025

Pas humbjes së Charlie Kirk, bashkëshortja e tij udhëheq Turning Point USA

Erika Kirk, e veja e Charlie Kirk, aktivistit të njohur të krahut të djathtë, i cili u vra kohët e fundit, është emëruar CEO dhe kryetare e bordit të Turning Point USA, organizata që ai themeloi në vitin 2012.

Në deklaratën zyrtare, Turning Point USA theksoi se Charlie Kirk kishte shprehur më parë dëshirën që bashkëshortja e tij të merrte drejtimin e organizatës në rast të ndonjë fatkeqësie. “Charlie na përgatiti për një moment si ky. Ai punoi pa u lodhur që Turning Point USA të mbetej e fortë edhe përballë sfidave më të mëdha,” u tha në njoftim.

Erika Kirk, në mesazhin e saj, përsëriti fjalët e të shoqit: “Kemi një vend për të shpëtuar. Nuk do të dorëzohemi dhe as nuk do të gjunjëzohemi përballë së keqes. Ne do të vazhdojmë.”

Charlie Kirk u bë një figurë me ndikim në politikën amerikane përmes përpjekjeve për të tërhequr të rinjtë drejt kauzave konservatore dhe mbështetjes së Donald Trump dhe lëvizjes MAGA. Organizata e tij u rrit ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke u shndërruar në një nga platformat më të rëndësishme të të djathtës amerikane.

Nga ana e saj, Erika Kirk ka një profil të larmishëm. Ajo ka studiuar shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Arizona State University, ka një master në drejtësi nga Liberty University dhe një doktoraturë në lidership të krishterë. Përveç karrierës akademike, ajo ka punuar si modele e aktore, ka fituar titullin Miss Arizona USA në vitin 2012 dhe zotëron markën e modës fetare Proclaim Streetwear.

Erika dhe Charlie Kirk u martuan në maj të vitit 2021.