Mozzik reagon ndaj deklaratës së Noizyt për orën luksoze: Hajde, më ndihmo
Mozzik u paraqit ditën e djeshme sërish në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), i shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci, në lidhje me hetimin për dy orë luksoze, një Richard Mille dhe një Rolex që së bashku kapin vlerën prej 1.340.027,50 euro, raporton GazetaDemos.
Ndërsa çështja ka ngjallur interes të madh publik dhe mediatik, përplasja më e përfolur ka qenë ajo me reperin Noizy, i cili kishte aluduar më herët se ora nuk ishte e Mozzik dhe se ky i fundit e kishte përdorur vetëm për fotografi, madje shtoi se ora ishte fake. (lexo këtu)
Në një prononcim pas daljes nga ATK, Mozzik reagoi për herë të parë ndaj këtyre deklaratave, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet mes artistëve.
“Hajde, thuj le të na ndihmonë te nxjerri. Hajde mor burrë, ndihmona. Komuniteti i artistave le të më përkrahë, edhe unë jam artist,”, tha ai për Gazetën Demos.
Sa i përket ndalimit nga Dogana, Mozzik sqaroi se gjithçka kishte ndodhur në kuadër të një kontrolli rutinor, pas kthimit të tij nga Zvicra.
“Në momentin që e kam publiku foton ka qenë një ditë pa ardhë prej Zvicrës në Kosovë. Kur kam ardhë ka qenë një kontroll rutinor, krejt normal. E falënderoj Doganën për sjelljen e mirë. Ishte thjesht një kontroll, asgjë më shumë,”- theksoi ai.
Avokati i tij, Arianit Koci, ngriti çështje të paqartësive ligjore, duke theksuar se klienti i tij është rezident në Zvicër dhe se, në këto rrethana, nuk ka arsye të paguajë taksë doganore për sendet personale.
“Ky jeton në Zvicër, ka lejeqëndrim atje. Nëse vjen me një orë të blerë në Zvicër dhe qëndron disa ditë në Kosovë, për t’u kthyer sërish, nuk ka logjikë të paguajë Doganë,”-tha Koci.